Këtë të enjte, gjatë takimit me dyer të mbyllura me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani ka komentuar edhe Kodin e ri Penal.
Ai u shpreh se debati për draftin është i pritshëm, si në nivel profesional ashtu edhe në atë shoqëror.
Sipas tij, debati që duhet të ishte bërë në lidhje me këtë temë qëndron në nevojën që ekzistonte apo jo për të.
“A ishte i nevojshëm një kod i ri? Ky ishte debati që duhet të ishte bërë. Apo mund të bëheshin ndryshime në kodin aktual”, mësohet të jetë shprehur Dumani gjatë takimit.
Gjithashtu, Dumani theksoi se mendon që ka nevojë për ndryshime në kodin aktual, por theksoi se diskutimi duhet të fillonte në këtë mënyrë, pra nëse kishte nevojë për një kod të ri.
Mes të tjerash, Dumani tregoi se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e këtij drafti dhe se ky i fundit nuk u është vendosur në dispozicion, ndërsa sqaroi se në momentin që kjo do të ndodhë do të ketë edhe një dhënie mendimi.
Ai shtoi se ka ndjekur edhe reagimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, në lidhje me draftin dhe u shpreh se në disa aspekte ndante të njëjtat mendime me të.
Kujtojmë se Çela u tregua kritik ndaj draftit të Kodit të ri Penal duke thënë se në të përfshihen nene të paqarta dhe se ky kod do të krijojë konfuzion.