Koalicionet e zyrtarizuara dhe të heshtura nga partitë në garën e 14 nëntorit

Kandidatët dhe subjektet kanë intensifikuar diskutimet për arritjen e marrëveshjeve të koalicionit në garën e balotazhit më 14 nëntor.

Derisa janë zyrtarizuar disa marrëveshje, partitë që garojnë në qytetet e mëdha preferojnë bashkëpunime të heshtura.

Diskutime mes subjekteve ka pasur edhe në garën për kryeqytetin.

Burime të KOHËS brenda këtyre zhvillimeve kanë folur për negociata mes Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, që kjo e fundit t’i ofrojë mbështetje

Përparim Ramës në garën kundër Arben Vitisë së Vetëvendosjes.

Por krahas ndarjes së pushtetit në rast të fitores eventuale, kushti i PDK-së ka qenë bërja publike e marrëveshjes. Sipas burimeve, LDK-ja ka kërkuar që marrëveshja të mos zyrtarizohet.

Në lidhje me këtë KOHA ka kontaktuar zyrtarët e PDK-së. Sekretari i kësaj partie, Betim Gjoshi, ka thënë se nuk kanë qenë përjashtues për asnjërën parti.

“Dega nuk ka pasur ndonjë orientim publik, iu takon atyre të vendosin me kë të bashkëpunojnë. Me sa kemi parë medialisht, kanë qenë të drejtuara ofertat prej dy partive. Degëve iu kemi thënë se janë të lira të bëjnë marrëveshje me të gjitha partitë, përveç atyre kandidatëve që kanë probleme me ligjin.

Besoj se në Prishtinë asnjëri kandidat nuk ka problem me ligjin dhe dega e Prishtinës i ka duart e lira me mbështet cilindo kandidat”, tha Gjoshi.

Shef i shtabit zgjedhor të Uran Ismailit ka qenë Abelard Tahiri. I kontaktuar nga KOHA, ai ka thënë se nuk e ka informatën rreth koalicionit duke sugjeruar që përgjigja të kërkohet prej kabinetit të kryetarit.

Nga Lidhja Demokratike nuk kanë ofruar ndonjë qëndrim përkitazi me këtë çështje.

E në Vetëvendosje kanë thënë se kryesisht janë neutralë sa u përket bashkëpunimeve parazgjedhore.

“Kryesisht neutral jemi”, tha zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

Deri tash vetëm në katër komuna janë publikuar koalicionet.

PDK-ja ka arritur koalicion në Prizren për kandidaturën e Shaqir Totajt me AAK-në, Nismën dhe AKR-në.

Marrëveshje koalicioni kanë nënshkruar Isni Kilaj i PDK-së, që garon në Malishevë me Kastriot Berishën e AAK-së. E Lidhja Demokratike ka arritur marrëveshje me AAK-në, e cila do ta mbështesë Lutfi Hazirin në balotazh./Koha/


Shtuar 9.11.2021 19:18