Kontrolli i Lartë të Shtetit ka audituar punën e qeverisë mbi menaxhimin e pandemisë dhe ka dalë në një përfundim jo të mirë.
Sipas KLSH, qeveria shqiptare nuk ka arritur të menaxhojë si duhet krizën, duke sjellë pasojë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Auditi u krye në kuadër të “efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19” në subjektet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Institutin e Shëndetit Publik.
“Përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe MSHMS-ja, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së duke cenuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19,”- shkruhet në në auditim.
Përsa u përket kostove që kanë rënduar xhepat e shqiptarëve, Kontrolli i Lartë i Shtetit shkruan se mungesa e një urdhri për shërbime falas ka bërë që shqiptarët të paguanin shifra marrëmendëse pasi sigurimet e tyre shëndetësore nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’ua mbuluar këto kosto.
“Mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situates. Shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë ishin të larta si për personat e siguruar, ashtu dhe për personat e pasiguruar, gjë e cila ngre pikëpyetje dhe mbi efikasitetin e skemës aktuale të sigurimeve. Për Shqipërinë kjo shkon deri në 50%, në krahasim me 14,9% në BE, shifra që tregojnë se sa i cënueshëm është sistemi shëndetësor edhe pa u përballur me sfida të jashtëzakonshme, siç është rasti i pandemisë së COVID-19,”- shkruhet në auditin e bërë nga Institucioni i drejtuar nga Arben Shehu.
Rimbursimi i ilaçeve për të trajtuar koronavirusin nuk ka ekzistuar. KLSH shton se shumë qytetarë as nuk morën kurrë dijeni për këtë lehtësim financiar për ta dhe për pasojë nuk kanë përfituar. Edhe faza e testimit të popullatës nuk ka qenë efektive sipas KLSH-së. sipas auditit gjurmimi i rasteve nuk është bërë në mënyrë korrekte pikërisht për faktin se përgjigja e testeve ka dalë 10 ditë pas bërjes së tamponit, duke bërë që virusi të përhapej gjatë kësaj kohe.
“Bazuar në Ligjin Nr. 15/2016 “Për parandalimn dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjet infektive” të ndryshuar, si edhe Ligjin Nr. 10138 /2009 “Për shëndetin publik”, të ndryshuar, në një situatë të tillë, duke qenë se shëndetësia është një e mirë publike, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyrimin ligjor ta ofrojë këtë shërbim falas dhe të marrë të gjitha masat për zbatimin korrekt të tij. Gjykuar në sa më sipër citojmë se: Urdhri Nr. 545 datë 19.11.2020 “Për disa shtesa në Urdhrin nr. 392, datë 01.07.2019 “Për caktimin e kufizimeve në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barna të listës së barnave që rimbursohen nga fondi”, i ndryshuar””, për rimbursimin e pacientëve Covid ka dalë 9 muaj pas shfaqjes së pandemisë. Ndërkohë dhe pas daljes pacientët nuk kanë qenë në dijeni të këtij urdhri, pasi ka munguar informacioni nga mjekët e familjes”, vijon më tej auditimi. Këto vonesa rritën si numrin e pacientëve që filluan trajtimin me antibiotikë pa u konfirmuar si të infektuar me COVID-19 ashtu dhe të atyre që filluan trajtimin vonë pasi prisnin për rezultatet e testit,”- shkruhet në dokument.
KLSH shkruan më tej se masat e marra për të parandaluar përhapjen e Covid-19 prekën kryesisht kategoritë e konsumit të lidhur me blerjet e mëdha dhe shërbimet. Për sa i përket situatës së investimeve, ecuria e shfaqur prej tyre detyrimisht u ndikua nga situata e përgjithshme, duke pasqyruar kryesisht rënie të tyre. Prej grupit të auditimit është kërkuar informacion për një analizë nëse janë prekur investimet publike dhe private nga pandemia, si dhe çfarë efekti ka sjell në nivel makro kjo ‘prekje’; por MFE është shprehur se nuk disponon asnjë informacion apo dokumentacion për kryerjen e një analize të tillë.
“Masat e marra për të parandaluar përhapjen e Covid-19 prekën kryesisht kategoritë e konsumit të lidhur me blerjet e mëdha dhe shërbimet. Për sa i përket situatës së investimeve, ecuria e shfaqur prej tyre detyrimisht u ndikua nga situata e përgjithshme, duke pasqyruar kryesisht rënie të tyre. Si investimet publike edhe ato private vlerësohet të kenë qenë gjithashtu me rënie, duke reflektuar tkurrjen e komponentëve përbërës që lidhen me ndërtimin dhe makineritë e pajisjet. Situata e krijuar nga pandemia, mbyllja e detyruar e disa prej aktiviteteve ekonomike, besimi i ulët dhe pasiguria më e lartë në ekonomi kanë qenë ndër faktorët me ndikim negativ në zhvillimet e investimeve. Prej grupi të auditimit u kërkua informacion nëse kemi një analizë nëse janë prekur investimet publike dhe private nga pandemia, si dhe çfarë efekti ka sjell në nivel makro kjo ‘prekje’; apo nëse ka një plan orientimi për këto investime në favor të zbritjes së efekteve negative të pandemisë. Referuar përgjigjes së marr prej MFE, nuk disponojmë asnjë informacion apo dokumentacion justifikues për kryerjen e një analize të tillë. DLidhur me masat fiskale, janë miratuar dy paketa mbështetëse për individë dhe biznese të prekur nga COVID-19 me një vlerë të përmbledhëse prej 45 miliardë lekë (2.8% të PBB-së). Paketat janë: Paketa mbështetëse 1: (i) fonde shtesë për sektorin e shëndetësisë në shumën 3.5 miliardë Lek (ii) 6.5 miliardë Lek për mbështetjen e bizneseve të vogla / të vetë punësuarve që u detyruan të mbyllnin aktivitetet (iii) 2 miliardë lek të rialokuara drejt ndihmës humanitare për personat më të prekurit, (iv) 11 miliardë lekë fond garancie sovrane për kompanitë për të marrë overdraft”, shkruhet në audit./albeu.com