Klodiana Lala: Mediat e Veliajt nxorrën fotot e fëmijëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se prokurorët kanë dërguar 90 faqe përgjime, ku kanë pretenduar se Veliaj ka tentuar të devijojë të vërtetën dhe të ketë target sulmi gjyqtarë dhe prokurorë. Sipas saj, ka patur gjuhë kërcënuese ndaj disa zyrtarëve, ndaj drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe është konstatuar se ka patur media të tëra, që kanë patur një gjuhë kërcënuese ndaj gjyqtarëve prokurorëve, gazetarëve.

“SPAK ka pretenduar se Veliaj paraqet rrezik për të infektuar provat dhe intimiduar dëshmitarët për shkak të gjuhës së përdorur në komunikime me vëllain dhe të tjerë.

Nëse provohet shkak-pasojë, pra që Veliaj ka urdhëruar të bëhet një lajm i rremë apo të vihet nën presion një gjyqtar dhe prokuror, është vepër penale dhe ka bashkëpunëtorë. Nuk e ndaj dot sot.

Pardje prokurorët kanë dërguar 90 faqe përgjime, mund të ketë edhe të tjera, kanë pretenduar se Veliaj ka tentuar të devijojë të vërtetën dhe të ketë target sulmi gjyqtarë dhe prokurorë. Ka patur gjuhë kërcënuese ndaj disa zyrtarëve, ndaj drejtorisë së përgjithshme të burgjeve.

Qëllimi me sa kam kuptuar, se SPAK nuk mund të ndërhyjë në punën e medias, duhet të ndajë atë vijën e hollë, atë që një gazetar beson vërtetë, dhe gjë tjetër kur hyjnë interesat në mes. Nuk di të them ç’do të bëjë SPAK. Por di të them se përgjimet janë aty. Qëllimi kryesor ka qenë që Veliaj të qëndrojë prapa hekurave sepse mund të rrezikohej procesi hetimor. Rrugës mund të gjenden prova për shumë personazhe që e rrethojnë. Kanë dorëzuar edhe fatura të reja, transaksione bankare, kontrata të firmosura nga kompanitë e Ajola Xoxës. Mund të dalin të dhëna të tjera.

Kemi konstatuar se ka patur media të tëra, që kanë patur një gjuhë kërcënuese ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, gazetarëve, gjuhë e papranueshme. Të nxjerrësh fotot e fëmijëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është normale, nuk është gazetari.

Ato që janë dorëzuar bëhet fjalë për një pagesë që i referohet avokatit amerikan. Nuk jam në gjendje të them nëse ka te pjesa e pazbardhur. Kufjet i ka patur oficeri i BKH dhe vetëm ai bashkë me prokurorin e di”- tha Lala.


Shtuar 14.03.2025 11:13