Klodian Lekocaj urdhëroi ekzekutimin e dy shqiptarëve në Athinë? Mesazhi i tij nga burgu: Unë nuk kam lekë të blej asnjë paketë cigare

Mediat greke kanë nxjerrë emrin e Klodian Lekocajt, si të përfshirë në vrasjen e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja në Athinë.

Lekocaj, i cili ndodhet në burg është konsideruar si kreu i një grupi vrasësish me pagesë. Mediat greke i kanë bërë një profil për historinë e tij kriminale, ndërsa kanë sjellë në vëmendje edhe një videotelefonatë nga burgjet e Korydallos në maj 2019.

Lekocaj së bashku me disa persona të tjerë akuzohen edhe për vrasjen e avokatit të njohur Mihalis Zafiropulos.

Në mesazhin e tij nga burgu 3 vite më parë, Lekocaj deklaronte se ai nuk kishte lekë për të blerë një paketë cigare e as 8 klasë shkollë, kurrsesi nuk mund të ishte kreu i një bande kriminale.

“Unë jam Coza Nostra, a jam kreu i mafies së burgjeve në Greqi? Unë jam akuzuar për tre vrasje dhe jam shpallur i pafajshëm për këto akuza. Tani po përballem me një tjetër akuzë për vrasjen e avokatit, e cila ishte e gabuar pasi ata që kryen vrasjen nuk donin ta vrisnin, por ta trembnin.

Për ato që kam bërë, e vuaj dënimin që nga viti 2006, por nuk duroj të më fajësojnë për atë që nuk kam bërë. Duan të më vrasin dhe për këtë u përpoqën tre herë, dy herë me thikë dhe një herë të më helmonin. Unë shkova në burg për vjedhje në vitin 2006 kur isha 29 vjeç dhe sot vazhdoj të përballem me akuza të tjera. Kërkoj zëvendësimin e trupit gjykues pasi jam pa avokat dhe gjyqi do të jetë më 20 maj 2019. Ejani këtu dhe shikoni se si drejtësia po vret shqiptarët.

Këtu vrasjet i organizon dikush tjetër, nuk jam unë ai që thonë se është Coza Nostra, apo kreu i mafias së “Burgjeve në Greqi”, se nuk kam para të blej as një paketë cigare. Dua që shteti shqiptar të interesohet dhe të dëgjojë se si na ndëshkojnë dhe si na trajtojnë dhe çfarë na bëjnë.

Unë, Coza Nostra, që nuk kam mbaruar ende 8 vjet shkollë, më futën këtu për vjedhje kuletash dhe prandaj hyra këtu dhe si po shkojnë gjërat do të më vrasin. Prandaj dua të dëgjohem në mediat shqiptare dhe ato greke.

Unë dyshoj se organizatori i të gjitha këtyre vrasjeve është vetë drejtori i burgut psikiatrik Korydallos, ai i organizon këto vrasje dhe prandaj do të më eliminojë edhe mua”, ka thënë ndër të tjera ai në vitin 2019.