Këtë të mërkurë, Partia Demokratike, ka reaguar në lidhje me vetëflijimin e Pal Trashajt, i cili konsumoi fotoksinë para godinës së SPAK, pasi ishte viktimë e mashtrimit me mikrokreditë dhe Prokuroria e Posaçme dhe kreu i saj, Altin Dumani i refuzonin takimet dhe kallëzimin.
Në një deklaratë nga selia blu, koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën, Klevis Balliu, tha se Pal Trashaj u vetëhelmua, pasi u helmua nga shpërfillja, përbuzja dhe arrogance e shtetit shqiptar dhe e të ashtuquajturës “drejtësi e re”.
Sipas tij, 63-vjeçari bëhet dëshmori i parë i arrogancës së SPAK, pasi për muaj me radhë ai është shpërfillur, dhe SPAK-u i Altin Dumanit as e ka dëgjuar, as i ka pranuar padinë dhe as e ka përcjellë në Prokurori.
Më tej, Balliu tha se ky është turpi i radhës i SPAK-ut të Altin Dumanit, i cili pranon padi nga atentatori politik me porosi dhe lë pas dere qytetarin me halle Pal Trashaj.
“Paditë politike janë porosi e Rilindjes kurse nëpërkëmbjet e Pal Trashajt vetëm padrejtësia e radhës në serinë e sulmeve që i bëhen opozitës, që nga kryetari i saj dhe deri te protestuesi më i thjeshtë”,– tha Balliu.
KLEVIS BALLIU: “Pal Trashaj, një qytetar shqiptar, bir, baba, e vëlla, i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar pasi u helmua nga shpërfillja, përbuzja dhe arrogance e shtetit shqiptar dhe e të ashtuquajturës “drejtësi e re”.
I nëpërkëmbur prej katër vitesh në sistemin e drejtësisë për abuzime të bankave dhe përmbaruesve, ai i është drejtuar SPAK me shpresën se do të gjente zgjidhje te institucioni i cili sipas sondazheve të porositura gëzon besimin e shqiptarëve.
Për muaj me radhë ai është shpërfillur, dhe SPAKU i Dumanit as e ka dëgjuar, as i ka pranuar padinë dhe as e ka përcjellë në Prokurori. I përballur me humbjen e pronës dhe i sfilitur nga pamundësia për të gjetur të drejtën, Pal Trashaj 63-vjeç, është vetëhelmuar në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ai bëhet kështu dëshmori i parë i arrogancës së SPAK. Ky është turpi i radhës i SPAK-Dumanit i cili pranon padi nga atentatori politik me porosi dhe lë pas dere qytetarin me halle Pal Trashaj.
Paditë politike janë porosi e Rilindjes kurse nëpërkëmbjet e Pal Trashajt, vetëm padrejtësia e radhës në serinë e sulmeve që i bëhen opozitës, që nga kryetari i saj dhe deri te protestuesi më i thjeshtë. Pal Trashaj ka qenë kryetar i PD së Lezhës në periudhën 2007 dhe 2009 dhe ne i përcjellim, familjes ngushëllimet më të sinqerta.
Partia Demokratike nuk do ta pushojë luftën kur Rilindjes dhe Spakut e veglave të saj, që i shohin qytetarët shqiptarë si të majtë apo të djathtë, të kuq apo blu. Turp për Altin Dumanin që si Dumani tjetër po bëhet vrasës me pagesë. Me urgjencë i kërkojmë Prokurorisë të hapë çështje për vrasjen e Pal Trashajt dhe përgjegjësit të vihen në bankën e akuzës”, u shpreh Balliu.