Një 32-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi u kap duke transportuar 23 emigrantë të cilët e kishte “paketuar” në furgon.
I riu Erton Krasniqi do të merrte nga 500 euro për kokë për t’i ndihmuar për të kaluar kufirin drejt Malit të Zi.
“Uniforma Blu” arritën që ta ndalonin të riun në autostradën Milot – Morinë, në zonën e quajtur Rrubik.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesës, për të kaluar kufirin paligjshmërisht.
Operacioni, rezultat i punës së koordinuar të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës ” Milot – Morinë” dhe atyre të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë.
Transportonte me një furgon mallrash, 23 emigrantë, kundrejt 500 eurove/person, për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin, kapet në flagrancë në Rrubik, dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të shërbimeve të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës ” Milot – Morinë” dhe specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Lezhë e Komisariatit të Policisë Mirditë, për të parandaluar dhe për të goditur dhënien ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalimin e paligjshëm të kufirit, të mbështetur nga inteligjenca informative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjali”.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e policisë, në autostraden ” Milot – Morinë”, në vendin e quajtur Rrubik, kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip furgon i mbyllur, i përshtatshëm për transport mallrash, me drejtues shtetasin E. K. Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në këtë automjet janë gjetur 23 emigrantë nga vendet MENA, të cilët 32-vjeçari po i transportonte kundrejt 500 eurove/person, drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K, 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një aparat celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme./albeu.com