Kim Jong-un: Koreja e Veriut është e gatshme të mobilizojë forcat bërthamore

Koreja e Veriut është e gatshme të mobilizojë forcat bërthamore, ka pohuar udhëheqësi i saj Kim Jong-un.

Duke folur në një event të përvjetorit të Luftës Koreane, Kim shtoi se vendi ishte “plotësisht i gatshëm për çdo konfrontim ushtarak” me SHBA-në, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Komentet vijnë mes shqetësimeve se Koreja e Veriut mund të jetë duke përgatitur një test të shtatë bërthamor.

SHBA paralajmëroi muajin e kaluar se Pheniani mund të kryejë një test të tillë në çdo kohë.

Testi më i fundit bërthamor i Koresë së Veriut ishte në vitin 2017. Megjithatë, tensionet janë rritur në gadishullin Korean.

Përfaqësuesi special i SHBA-së në Korenë e Veriut Sung Kim thotë se Koreja e Veriut ka testuar një numër të paprecedentë raketash këtë vit – 31 krahasuar me 25 gjatë gjithë vitit të fundit rekorde, 2019.

Në qershor Koreja e Jugut u përgjigj duke lëshuar tetë raketa të veta.

Megjithëse Lufta Koreane e viteve 1950-1953 përfundoi me një armëpushim, Koreja e Veriut e pretendon atë si një fitore kundër SHBA. Festimet vjetore të “Ditës së Fitores” shënohen me parada ushtarake, fishekzjarre dhe vallëzime.

Në fjalimin e tij për të shënuar këtë ngjarje, Kim tha se kërcënimet bërthamore nga SHBA kërkonin që Koreja e Veriut të arrinte “detyrën urgjente historike” për të forcuar vetëmbrojten e saj.

SHBA i kishte keqinterpretuar stërvitjet e rregullta ushtarake të Koresë së Veriut si provokime, shtoi ai.

Kim gjithashtu u duk se adresoi raportet se Koreja e Jugut po lëviz për të ringjallur një plan për të kundërshtuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut duke ngritur sulme paraprake në rast të një sulmi të afërt.

E ashtuquajtura strategjia e “Zinxhirit të Vrasjes”, e përpunuar për herë të parë një dekadë më parë, bën thirrje për sulme parandaluese kundër raketave të Phenianit dhe ndoshta lidershipit të tij të lartë.

Disa analistë kanë paralajmëruar se ajo mbart rreziqet e veta dhe mund të nxisë një garë armësh.

Në festimin e Ditës së Fitores, Kim tha se qeveria dhe ushtria e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol do të “zhdukeshin” nëse ai kryente sulme parandaluese./albeu.com


Shtuar 28.07.2022 08:15