Kievi: Palët gjermane ranë dakord të japin raketa me rreze të gjatë “Taurus”

Një deputet ukrainas tha sot se partitë parlamentare në Gjermani  kanë arritur një marrëveshje për të furnizuar Ukrainën me raketa lundrimi Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra, pasi ende nuk është marrë një vendim zyrtar nga Berlini.

Ministria gjermane e mbrojtjes tha javën e kaluar se Berlini aktualisht nuk ka ndërmend t’i dorëzojë këto raketa në Kiev dhe se këto sisteme armësh nuk janë një prioritet urgjent.

Një zëdhënës i ministrisë i tha Reuters sot se qëndrimi i qeverisë gjermane për këtë çështje nuk ka ndryshuar.

Por Yehor Chernev, deputet dhe kreu i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tha: “Miqtë e mi në Bundestag sapo më thanë se forcat kryesore parlamentare kanë arritur një marrëveshje për transferimin e raketave me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë.”

“Kemi punuar për një kohë të gjatë me parlamentarët gjermanë për të krijuar një grup mbështetës dhe tani më në fund akulli është thyer. Ne presim vendimin zyrtar”, ka shkruar Chernev në Facebook.

Ukraina shpreson të marrë sisteme armësh me rreze të gjatë nga Perëndimi për t’u hakmarrë kundër Rusisë, e cila po përdor raketa të ndryshme, të lëshuara nga qindra kilometra larg, për të dëmtuar infrastrukturën e saj./Albeu.com.


Shtuar 7.08.2023 17:46