“Kevin na tha të vrisnim Hasanbelliun, ne e gjetëm, por u tërhoqëm, pastaj ai vrau Erjon Çelën”, zbardhet dëshmia e vëllezërve Beqiraj

Pas arrestimeve të djeshme në Durrës dhe Tiranë është zbardhur edhe dëshmia e vëllezërve Beqiraj para policisë. Mësohet se vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë kërkuar statusin e të penduarit duke zbardhur të gjitha krimet e grupit të strukturuar kriminal ku ata bënin pjesë.

Mësohet se ata kishin marrë porosi për të paktën katër vrasje në Tiranë dhe Durrës. Vrasja e parë ishte ajo e një personi dhe dy nipërve të tij në Tiranë, por gabimisht në atë atentat u vra Erjon Çela, i cili nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Vrasja e dytë ishte ajo e Arben Mërkurit, i cili u ekzekutua pesë muaj më parë, por policia nuk e di ende nga kush.

Sa i përket vrasjes së Çelës, ai u ekzekutua pa lidhje me ngjarjen pasi në fakt sipas dëshmisë së vëllezërve Beqiraj, objektiv ishte Geron Hasanbelliu, armiku i betuar i Kasandër Nogës.

Ky i fundit tentoi edhe vrasjen e vëllait të tij, Erionit në Belgjikë disa muaj më parë.

Vëllezërit tregojnë se ata u tërhoqën dy ditë para Vitit të Ri sepse objektivi ishte shumë i vështirë për ta, dhe 6 ditë më vonë Kevin Zeneli vendos ta kryente vetë vrasjen me mjetet që ata kishin siguruar.

“Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do na jepte një punë që e kishte porositur Kasandër Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut.

Duhet ta gjenim, ta vëzhgonim dhe eleminonim. E gjetëm në Don Bosko, prandaj morëm dhe shtëpi me qera aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin dhjetor 2021.

Dy ditë para Vitit të Ri u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot, sepse është objektiv i vështirë. Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ja dhamë Kevinit. Më pas më 4 janar ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne“, dëshmuan ata./abcnews.al


Shtuar 5.10.2022 10:34

koment