Familjet në kryeqytet kanë buxhet shumë më të madh se në qarqe për të shpenzuar gjatë një muaji, por në vitin 2022 u pa një tendencë e re, ku njësitë familjare në qytetet e Durrësit, Beratit dhe Gjirokastrës panë rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve.
Sipas të dhënave të Anketës për Buxhetin e Familjeve, të publikuara së fundmi nga INSTAT, vërehet se shpenzimet e një familje në Durrës vitin e kaluar u rritën me 7.1% në krahasim me vitin 2021, niveli më i lartë në rang vendi. Një familje në Durrës shpenzoi mesatarisht 83,473 lekë në vitin 2022 nga 77,925 lekë në vitin 2021.
Berati ishte i dyti për rritjen vjetore të shpenzimeve të familjeve më 2022 me 7%. Një familje në Berat shpenzoi mesatarisht 82,850 lekë çdo muaj në vitin 2022 nga 77,402 lekë në vitin 2021.
Më tej, Gjirokastra dhe Lezha shënuan rritje mesatare të shpenzimeve familjare përkatësisht me 6 dhe 5,6% secila për vitin 2022.
Në të kundërt Dibra, Elbasani dhe Kukësi kishin nivelin më të ulët të rritjes së shpenzimeve mujore nga familjet përkatësisht 0,9%, 1,7% dhe 2%.
Të dhënat referojnë se të ardhurat e familjeve janë rritur në familjet që patën zhvillime pozitive në turizëm.
Gjirokastra dhe Berati panë rritje dyshifrore të numrit të vizitorëve vitin e kaluar. Gjithashtu Durrësi dhe Lezha janë destinacione popullore për shqiptarët nga Kosova, por edhe vizitorë të huaj.
Turizmi në këto qytete po shtrihet përtej sezonit të verës, duke bërë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme.
Pavarësisht rritjes vjetore të shpenzimeve të familjeve në disa qarqe, Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.
Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 104.426 lekë në muaj.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 85.398 lekë dhe Durrësi me 83.473 lekë në muaj për NjEF.
Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 72.724 dhe i Kukësit me 73.099 lekë në muaj për NjEF.
Në vitin 2022, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare, e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88.367 lekë, të cilat janë 4,5% më të larta se në vitin 2021. Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 67 miliardë lekë në muaj për 758.973 NjEF.