GJKKO ka rrëzuar kërkesën Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), i cili në datën 31 janar të këtij viti kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, nga arrest me burg në një masë më të lehtë sigurie.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 83, datë 13.05.2024, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në ligj dhe prova”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Rexhep Rapi i njohur si ‘Kep Rapi’ apo i “forti” i Durrësit ka rënë në prangat e policisë vitin e kaluar në Rinas. 60-vjeçari është i dënuar me 7 vjet burg për organizimin e emigracionit të paligjshëm nga shteti italian.
Rapi ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2021 në Durrës pasi i gjetën armë në lokalin e tij. Rapi lëvizte me mjet të blinduar ‘’Benz’’ i cili i është sekuestruar bashkë me një pistoletë që iu gjet në një çantë në banakun e lokalit. Rapi është me precedentë të mëparshëm kriminal kundër jetës së personit dhe në fushën e narkotikëve.