Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë (FOTO LAJM)

Lëvizje Vetëvendosje i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të thërret seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë Kurti 2.

Telegrafi ka siguruar letrën e LVV-së drejtuar kryesisë së Kuvendit.

Në këtë kërkesë thuhet se LVV-ja kërkon thirrjen e kësaj seance, “duke marrë parasysh rrethanat e vakumit institucional dhe vullnetin e qytetarëve të vendit në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për medie, ku thuhet se pika e vetme e rendit të ditës do të jetë kërkesa e 52 deputetëve për thirrjen e Seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

Qeveria Kurti 2 pritet që të votohet pasditen e së hënës, ndërkaq janë caktuar tashmë edhe emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar.

Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti është deklaruar para mediave para votimit të Qeverisë së Kosovës dhe ka konfirmuar se tashmë është bërë caktimi i ministrave, transmeton Telegrafi.

“I di emrat e ministrave, së shpejti i merrni vesh edhe ju”, tha shkurtimisht ai.

Pas seancës për konstituimin e Kuvendit, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka kërkuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, e cila i ka kthyer letrën Konjufcës.


Shtuar 22.03.2021 16:41