Lufta në Ukrainë duket se ka nisur të japë efektet e para të tërthorta në tregun financiar shqiptar.
I pari që po ndikohet është kursi i këmbimit valutor. Nga fillimi i kësaj jave, leku ka filluar të nënçmohet në kursin e këmbimit me euron.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën euro u këmbye me 121.71 lekë. Ky është niveli më i lartë i kursit të euros që prej datës 20 janar dhe që nga fillimi i javës euro ka fituar afërsisht 0.4 pikë në kursin e këmbimit me lekun.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen për “Monitor” se mbiçmimi i euros këtë javë i detyrohet rritjes së kërkesës për euro në tregun e brendshëm. Sipas tyre, ky ishte një zhvillim i pritshëm. Lufta ka shtuar edhe më shumë presionet inflacioniste, sidomos të lidhura me produktet ku Ukraina dhe Rusia janë eksportuese të rëndësihme, siç janë produktet eenergjetike dhe drithërat.
Pas sulmit në Ukrainë, shumica e vendeve europiane, përfshi Shqipërinë, kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke përfshirë edhe bllokimin e importeve nga ky vend. Në mënyrë të pashmangshme, kjo po shkakton rritje të çmimeve të produkteve të mësipërme në bursat ndërkombëtare. Përshkallëzimi i situatës ka shtuar edhe trysnitë për të shtuar importet e produkteve të prekura, me qëllim krijimin e rezervave dhe zbutjen e pasigurive për të ardhmen e afërt.
Të gjithë këta faktorë kanë sjellë një kërkesë në rritje për blerje të euros, me qëllim financimin e importeve. Për këtë arsye, ekspertët e këmbimit valutor shprehen se me shumë të ngjarë forcimi i euros ndaj lekut do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe në pjesën e parë të këtij viti, leku kishte ruajtur pozita të forta ndaj euros, duke qëndruar pranë niveleve më të ulëta në pothuajse 15 vjet.
Megjithëse rritja e çmimeve të lëndëve të para ka ushtruar presione në drejtim të rritjes së deficitit të jashtëm të ekonomisë, leku ka arritur t’iu rezitojë këtyre trysnive nënçmuese. Sipas ekspertëve, kjo ka ardhur falë një oferte të lartë të monedhës europiane në treg, ofertë që jo gjithmonë mund të shpjegohet me faktorët fondamentalë që e përcaktojnë.
Pjesërisht, ajo është mbështetur edhe nga Eurobondi i siguruar në nëntor 2021 nga qeveria shqiptare. Në krahun tjetër, kërkesa e kompanive të sektorit energjetik për të financuar importet e energjisë është plotësuar nëpërmjet huamarrjes direkte në valutë nga bankat tregtare, duke mos shkaktuar presione shtesë mbi kursin e këmbimit valutor.
Leku i fortë ka luajtur një rol edhe në amortizimin e pjesshëm e presioneve të forta inflacioniste nga jashtë ne ekonominë shqiptare. Megjithatë, presioni shtesë mbi çmimet që po shkakton lufta në Ukrainë ndoshta do ta bëjë më të vështirë që leku të rezistojë në të njëjtat nivele.
Zgjerimi i deficitit të jashtëm mund të sjellë një zhvendosje në rritje të kursit të euros dhe në një përcjellje më të madhe të inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.
Mbiçmimi i euros në ditët e fundit po shfaq amplituda ditore normale dhe nuk ka ende ndonjë sinjal që të tregojë se tregu valutor mund të ketë hyrë në një spirale shqetësuese të nënçmimit të monedhës vendase.
Sidoqoftë, në vitet e fundit Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm rezervën e saj valutore, që është insturmenti kryesor i ndërhyrjes për të qetësuar tregun në situata të mundshme paniku. Rezerva valutore e Shqipërisë ka vlerën e afërsisht 5 miliardë eurove dhe është pranë niveleve më të larta historike.
Kjo vlerë është gati 40% më e lartë se deficiti tregtar i vendit për vitin 2021 dhe mbi katër herë më e lartë se deficiti i llogarisë korrente i regjistruar gjatë vitit 2020 (të dhënat e plota të Bilancit të Pagesave për 2021 nuk janë publikuar ende)./Monitor