Kërcënonte përmes telefonit 42-vjeçarin, arrestohet i riu në Durrës

Ditën e sotme, policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “Flagranca”. Uniformat blu, kanë arrestuar një 25-vjeçar, i cili kanoste vazhdimisht nëpërmjet celularit, një 42-vjeçar për t’i dhënë para.

Sekuestrohet kjo shumë parash. Sapo kanë marrë kallëzim se një shtetas shantazhohej për të dhënë para, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është finalizuar operacioni “Flagranca” gjatë të cilit është vënë në pranga shtetasi B. D., 25-vjeç, banues në Durrës. 25-vjeçari u kap në flagrancë në një lokal në lagjen nr. 13, ndërkohë që i merrte 5000 dollarë, një shtetasi 42-vjeç, të cilin e kishte kanosur disa herë, nëpërmjet celularit, për këtë qëllim.

Shuma e parave u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, si provë materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.


Shtuar 16.12.2023 13:12