Kërcënoi me jetë policin, në pranga 24 vjeçari shqiptar për trafik droge

Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane për trafik droge.

Mësohet se shtetasi shqiptar me inicialet B.F., 24-vjeç, me banim në Perugia, por pa një dokumentacion të rregullt u ndalua nga një postobllok i policisë italiane gjatë një kontrolli rutinë.

Sipas mediave italiane, mësohet se shqiptari në momentin kur u ndalua nga agjentët e anti-drogës, shfaqi shenja paniku, duke i kërcënuar ata me vdekje, njofton Panorama.

Policia italiane bëri me dije se gjatë një kontrolli më të imtësishëm në makinën që drejtonte 24-vjeçari shqiptar, në kapakun e ndërrimit të marsheve të makinës, u zbuluan 75 doza kokainë që ishin të destinuara për t’u shitur në Rieti.

Në banesën e 24-vjeçarit në Perugia, policia italiane sekuestroi edhe një shumë parash, rreth 2 mijë euro, të ndara në kartëmonedha të vogla.


Shtuar 20.05.2021 23:16