Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka reaguar në rrjetin social “X” pas refuzimit që Komisioni Europian i bëri deklratës së Charles Michel, i cili theksoi se BE synon të zgjerohet deri në vitin 2023-të me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në reagimin e tij Rama thekson se në këtë pikë është më mirë të qëndrojnë në “avionin pa ulëse të BE-së se sa në avionin rus”, duke iu referuar incidentit të fundit të Yevgeny Prigozhin në Rusi.
“Po sigurisht, kjo është arsyeja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan… Gjithsesi më besoni, në statusin aktual të punëve të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurt se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë është shumë larg, por një gjë është e sigurt si vdekja: Ky autobus nuk do të rrëzohet kurrë?”, shkruan Rama në “X”.
Komisioni Evropian nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces, tha të martën zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat.
Spinat i bëri këto komente në një konferencë për shtyp në Bruksel më 29 gusht, pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.
Por, derisa e pranoi se zgjerimi është prioritet politikë për Komisionin Evropian, ajo iu përgjigj Michel duke thënë se “nuk jemi të fokusuar në afate kohore, por t’i ndihmuar kandidatët në përmbushjen e kritereve dhe për t’u bërë gati”.