Zbardhet plagosja me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Shkodër.
Aleksandër Curaj u plagos me armë zjarri rreth orës 9:00 te zona e këmbimit valutor në qendër të qytetit të Shkodrës.
Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autori i plagosjes është identifikuar si Dedë Bici, i cili është larguar me një biçikletë në drejtim të kryqëzimit të ish degës ndërsa policia po punon për gjetjen dhe kapjen e tij pasi është identifikuar nga kamerat e sigurisë. Ndërkohë pas plagosjes një dëshmitare i dha ndihmën e shpejtë ndërsa tregon se si ndodhi ngjarja.
Autori i dyshuar Dedë Bici dhe i plagosuri Aleksandër Curaj dyshohet se pak minuta para ngjarjes janë konfliktuar fizikisht. Një efektiv policie ka hyrë mes tyre për t’i ndarë, por i janë drejtuar policit duke i thënë se e zgjidhim vetë konfliktin se kemi një problem lekësh.
Pas sherrit fizik autori ka nxjerrë pistoletën duke e qëlluar katër herë në trup 40 vjeçarin i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë policia vendore e Shkodrës dyshon se plagosja ka ndodhur për shkak të një borxhi që i plagosuri i ka patur autorit të dyshuar. 40 vjeçari Aleksandër Curaj kohët e fundit punonte me policinë private si efektiv security dhe nuk njihej si një person problematik.
Policia po punon për të zbardhur të plotë këtë plagosje ndërsa në vendin e ngjarjes bashkë uniformat blu mbërriti edhe prokurori Gëzim Spahiu.
/albeu.com