Karantinimi 2-javor i emigrantëve, Dvorani do shqyrtojë ankimimin e LSI-së

Këtë të premte u hodh shorti në Gjykatën Administrative të Apelit për të përcaktuar trupën gjykuese që do shqyrtojë ankimimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve në lidhje me karantinë dy-javore të emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Mësohet se kryesues i trupës gjykuese që do jetë Ardian Dvorani.

Kujtojmë që më 20 prill Lëvizja Socialiste në Integrim dorëzoi në Gjykatën Administrative një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen e karantinës dy-javore për shtetasit shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Në kërkesën drejtuar gjykatës, LSI thekson se ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën. Sot Gjykata Administrative shpalli mos-kompetencën për ankimimin e LSI, duke ia kaluar kështu Apelit.

Ndërkohë më herët një reagim ka pasur edhe Presidenti Ilir Meta, ku gjatë një konference për shtyp u shpreh se ndalimi i votimit të emigrantëve që vijnë nga Greqia në zgjedhjet e 25 Prillit përbën sipas tij “një akt të dhunshëm dhe diskriminues”.

Kreu i shtetit tha se arsyeja e kufizimit të emigrantëve për votimet si shkak i masave antiCovid, janë “pretekste të pa bazuara shkencërisht”.

“Arsyetimi i ndalesës dhe i diskriminimit të mijëra bashkatdhetarëve tanë për të marrë pjesë në votime për shkak të pandemisë është pretekst fals i pa bazuar shkencërisht, absurd dhe një përdorim politik dhe i paskrupullt për përfitime elektorale nga situata e pandemisë nga ana e partisë-shtet”- do të shprehej kreu i shtetit.


Shtuar 23.04.2021 15:44