Karantina për emigrantët, përfaqësuesi i Diasporës: Kaq personave u mohohet e drejta e votës

Vetëm dy ditë më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve në vend vendosi që deri në 3 maj, të gjithë personat që hyjnë në vend nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, do t’i nënshtrohen një karantine 2-javore.

Sipas ekspertëve të këtij Komiteti arsyeja e vendosjes së karantinës, vjen si pasojë e rëndimit të situatës epidemiologjike në qytetet shqiptare, Gjirokastër e Korçë, ndërkohë që për pak ditë afrojnë edhe pashkët dhe karantina do të shmangte grumbullimet familjare, duke mos e rënduar situatën epidemiologjike.

Ky vendim vjen edhe në një kohë, kur emigrantët shqiptarë do të ktheheshin gjatë këtyre ditëve në Shqipëri për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Florian Haçkaj nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ishte i ftuar sot në “Wake Up”, ku theksoi se ky është një vendim politik.

“E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe një nga liritë themeltare të njerëzve. Problemi është se siç u provua diaspora në fillim, 1.3 milionë shtetas të votojnë dhe duhet të bëjnë lloj-lloj cirqesh me financa të larta për të ardhur për të votuar, tani privohet një pjesë e madhe e diasporës.

Rreth 600 mijë shqiptarë janë në Greqi që mund të vinin me autobusë, avionë, makina private. Kështu që ka një zhgënjim të madh, ka edhe një reagim të madh edhe nga shoqatat në Greqi.

Janë 20 shoqata që kanë kërkuar që të anulohet. Ne si lëvizje kemi një grup shëndetësie brenda që analizoi gjendjen e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe nuk kanë asgjë më keq se ne, pra që po na sjellin virusin.

Ne gjykojmë që është një vendim politik, duke dashur të privojë njerëzit nga e drejta e votës”, theksoi ai.

Shtuar 21.04.2021 08:04