Eksperti Ervin Karamuço deklaroi në emisionin “Now” se arratisjet spektakolare me helikopter kanë ndikuar në ndryshimin e masave të sigurisë në burgjet evropiane. Sipas tij, në ambientet e ajrimit janë vendosur rrjeta mbrojtëse në pjesën e sipërme, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme.
Karamuço tha se në Shqipëri këto masa nuk kanë ekzistuar më herët, ndërsa tani janë shtuar kryesisht për t’u mbrojtur nga dronët. Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i helikopterëve mbetet i mundur, veçanërisht në burgje si 313 apo në institucione të tjera që kanë hapësira të mëdha dhe sheshe të hapura, ku një helikopter privat mund të afrohet më lehtë.
Të lidhura
None found
Duke folur për burgun ku mbahej Alket Rizai, eksperti e përshkroi Koridhalosin si një institucion me kushte të vështira, mbipopullim të jashtëzakonshëm dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Ai tha se komisionerë të të drejtave të njeriut nga OKB-ja dhe Këshilli i Evropës e kanë cilësuar mënyrën e trajtimit në atë burg si çnjerëzore, jo vetëm për shqiptarët.
Burgu ndodhet në pjesën e sipërme të Pireut, pranë Athinës, dhe kishte një sipërfaqe të gjerë, ndërsa në afërsi ndodhej një helioport. Sipas Karamuços, kjo e lehtësoi afrimin e helikopterit, i cili u ul shpejt pasi kreu një manovër të shkurtër. Në momentin që po merrej Alket Rizai, kullat e vrojtimit të policisë u qëlluan dhe arratisja përfundoi brenda pak kohësh.
Pas ngjarjes, shërbimet sekrete greke hetuan policinë, pasi dyshuan se për arratisjen mund të ishin paguar persona të caktuar. Karamuço tha se rasti nxori në pah edhe lidhjet e ngushta të Rizait me botën kriminale greke, pasi ai u ndihmua nga një kryemafioz grek i asaj periudhe.
Eksperti bëri të ditur se autoritetet greke kanë ngritur post-blloqe në autostrada dhe po kryejnë kontrolle edhe në mjetet lundruese. Ai vlerësoi se kapja ose rikthimi i Alket Rizait në duart e policisë greke është vetëm çështje kohe.
Sipas tij, Rizai nuk është i sigurt jashtë burgut, pasi grupe rivale kanë kërkuar prej kohësh eliminimin e tij. Në të gjithë Greqinë është ngritur një alarm i madh, me kontrolle në kufij, post-blloqe në Athinë dhe qytete të tjera kryesore, veçanërisht në autostradën që të çon drejt Selanikut.
Karamuço shtoi se një nga mundësitë e arratisjes së mëtejshme mund të ishte largimi drejt Lindjes së Mesme me një anije lundrimi, duke përfituar nga numri i madh i mjeteve lundruese në Greqi. Megjithatë, ai shprehu bindjen se Rizai do të kapet shpejt dhe vlerësoi se mënyra greke e sigurisë, interceptimit dhe përdorimit të inteligjencës është një model që edhe Shqipëria duhet ta ndjekë.
