Kaos me numrat e ONE Albania, mijëra abonentëve iu hiqet sinjali: Probleme të theksuara teknike pas bashkimit, pse po ndodh kjo

Kompania hungareze e telekomunikacionit 4iG hyri në tregun shqiptar pak vite më parë duke blerë fillimisht Telekom Albania dhe më pas Albtelecom, duke u kthyer kështu në operatorin me numrin më të madh të abonentëve në treg, të paktën në letër.

Gjatë transforimimit, kompanisë iu desh që të bashkonte Telekom Albanian dhe Albtelecom nën brandin e ri ONE Albania, gjë e cila nuk duhej të ndodhte vetëm në çështje logosh dhe marketingu, por edhe teknikisht.

Mirëpo, siç mëson AlbEu.com ky proces po has në probleme shumë të mëdha teknike duke bërë që mijëra abonentëve t’iu shkëputet shërbimi pa asnjë paralajmërim.

Në redaskinë e AlbEu kanë mbërritur një numër i madh ankesash në lidhje me ndërprerjen e shërbimit nga kompania ONE Albania fill pas fillimit të procesit të bashkimit të kompanive.

Burime për AlbEu bëjnë me dije se gjithçka ka nisur gjatë transferimit të numrave ku janë hasur përplasje mes numrave të njëjtë të kompanive të mëparshëm Telekom Albania dhe Albtelecom. Një pjesë e mirë e numrave që kanë patur përplasje janë mbyllur dhe tashmë këta abonentë nuk po marrin më shërbim.

AlbEu u interesua më tepër në lidhje me ndërprerjen e shërbimit për numrin 0682930**8, i cili prej disa muajsh tashmë nuk ka asnjë shërbim nga ONE Albania.

Pavarësisht kërkesave të shumta për të rihapur numrin dhe rimarrë shërbimin, abonenti është përballur me veshin e shurdhët dhe paaftësinë e kompanisë ONE Albania. “AlbEu” mëson se janë disa mijëra raste të ngjashme në të gjithë vendin.

Një fenoment i tillë haset edhe në faqen e Facebook të ONE Albania ku qindra qytetarë shkruajnë për këtë problem duke kërkuar zgjidhje nga kompania.

Kompania ka nisur kohët e fundit edhe një fushatë marketingu nën logon “Faleminderit skeptikë! Na bëni më të mirë” duke synuar për t’i dalë para krizës së madhe që është krijuar me abonentët, të cilët nga dita në ditë po shohin se nuk po shërbehen nga ONE Albania pavarësisht kontratës. /albeu.com


Shtuar 6.04.2023 14:21