Kanosi me automatik një shtetas, policia arreston pas tre muajsh autorin

Policia ka vënë në pranga një 58-vjeçar të shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në qershor të këtij viti, ky shtetas, për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin N. M., për motive të dobëta, me armë zjarri automatike.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Vijojnë kontrollet për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Karbunarë”.

Kapet dhe vihet në pranga, një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nisur dhe nga informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës “Shqiponja”, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Karbunarë”, si rezultat i të cilit, në fshatin Karbunar, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim F. K., 58 vjec, banues në Karbunarë, Selenicë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 27.07.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet se më datë 06.06.2022, në fshatin Karbunarë, Selenicë, ka kanosur shtetasin N. M., për motive të dobëta, me armë zjarri automatike (e cila është sekuestruar nga Policia, ditën e ngjarjes).

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme./albeu.com