Kanosën policinë, arrestohen tre “të fortët” që lëviznin me armë në makinë në Tiranë

Tre persona kanë janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit “Almak”.

K. Y., 35 vjeç, E. M., 41 vjeç, dhe A. N., 32 vjeç ranë në pranga pasi gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar nga ky i fundit iu është gjetur armë zjarri.

Arma u gjet gjatë kontrollit fizik të shtetasit K.Y., ndërsa drejtuesi i automjetit dha deklaratë të rreme duke thënë se arma ishte e tij.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Almak”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin me armë zjarri pistoletë në automjet, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet dhe dy mjete të forta (çekiçë).

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Almak”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:

– K. Y., 35 vjeç, E. M., 41 vjeç, dhe A. N., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën “Muzakët”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. N., dhe pasagjerë shtetasit K. Y., dhe E. M. Në momentin e ndalimit, shtetasi E. M., ka kanosur punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. Y., shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, për të cilën drejtuesi i automjetit, shtetasi A. N., ka dhënë deklaratë të rreme, se arma ishte e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet, dhe dy mjete të forta (çekiçë), të gjetura gjatë kontrollit të automjetit.

Vijon puna për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së armës së zjarrit dhe sendeve të forta, nga 3 të arrestuarit.


Shtuar 26.02.2023 13:22