Komisioneri Publik Florian Ballhysa vendosi ankimimin e konfirmimit në detyrë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj duke argumentuar se provat të dëm të saj duhej të kishin sjellë shkarkimin.
Ballhysa e dorëzoi vendimin për ankimim mbrëmjen e së hënës, në limitet e afatit ligjor të ankimimit të rivlerësimit të Imerajt, konfirmimi i së cilës nga KPK në prill u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, të cilët argumentuan se rasti i saj vë në rrezik “ntegritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.
Komisioneri Publik “çmon se ai [vendimi] është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit,” thuhet në dokumentin e ankimimit.
Imeraj arriti të kalojë shkallën e parë të vetingut pasi paraqiti një kontratë paramartesore të vitit 2007, sipas të cilës, pronat e bashkëshortit, me të cilin u divocua në vitin 2019, i përkasin bashkëshortit dhe ajo nuk është përgjegjëse, një argumentim që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi si të vlefshëm. Vleftësia e kontratës paramartesore është vënë në dyshim nga ONM si dhe nga Komisioneri Publik. Sipas këtij të fundit, subjekti ka deklaruar pasuri të përbashkët në deklaratat vjetore periodike të pasurisë si dhe në deklaratën për veting, gjë që duhet ta bëjë atë përgjegjëse për justifikimin me burime të ligjshme të kësaj pasurie.
“…rezulton që subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në D-Vett. Dhe deklaratat periodike, pasuri të paluajtshme në bashkëpronësi, nga ku nuk dëshmohet se ka një regjim pasuror të pasurive të ndara, pasi një regjim pasuror i caktuar do të kishte efekte dhe pasoja në pasuritë e deklaruara,” shkruhet në dokumentin e ankimimit.
Imeraj argumentoi gjithashtu se pronat për të cilat kërkohet justifikimi i pasurisë janë krijuar para martesës dhe për rrjedhojë ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse për to.
Komisioneri Publik citon gjithashtu dy gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës. Gjetja e parë është një vendim i Gjykatës së Romës i vitit 2002 që ka dënuar ish-bashkëshortin dhe ish-kunatin e subjektit për trafik qeniesh njerëzore, gjë për të cilën Imeraj ka deklaruar se bëhet fjalë për persona të tjerë. Gjetja e dytë lidhet me kontakte të papërshtatshme të subjektit me persona të njohur për aktivitete kriminale, për të cilën Imeraj thotë se nuk ka pasur dijeni.
Imeraj duhet të përgjigjet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit edhe në lidhje me dy vendimmarrje të saj në të shkuarën si prokurore e krimeve të rënda. Të dy rastet lidhen me veprat penale në fushën e drogës, për të cilat Imeraj ka shpallur moskompetencë duke i transferuar në prokuroritë e zakonshme.
Ndërkombëtarët kanë vënë në dukje edhe faktin që Imeraj ka komunikuar me një vëzhgues si dhe me anëtarë të komisionit që duhej të kryente rivlerësimin e saj, gjë që ata e kanë konsideruar si “Sjellje joetike/ushtrim i ndikimit të paligjshëm në procesin e rivlerësimit”. /reporter.al