Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka marrë kallëzim penal ndaj drejtorit I.S. (47) nga Shkupi, si edhe ndaj një personi juridik me seli në Shkup, nën dyshimin për “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga veprat penale”. Sipas kallëzimit, bëhet fjalë për përvetësimin e 110.000 eurove të arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve, të cilat nuk janë derdhur si tarifa në buxhetin e shtetit.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, I.S., në rolin e personit të autorizuar të subjektit juridik të kallëzuar, i cili kishte leje për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, dyshohet se ka synuar të përfitojë në mënyrë të paligjshme shumën prej 6.803.900 denarësh. Për këtë qëllim, ai ka hartuar dhe dorëzuar raporte të pasakta për tarifat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve pranë Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Kryqit të Kuq, Këshillit Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, Ministrisë së Mjedisit dhe komunave.
Falsifikimi i të dhënave dhe përpilimi i raporteve, sipas autoriteteve, janë bërë në bashkëpunim me S.S., i autorizuar për përgatitjen dhe nënshkrimin e faturave, si dhe për dorëzimin e raporteve te institucionet përkatëse. Për të maskuar fondet e mbledhura përmes dy personave juridikë dhe një kompanie ndërmjetësimi sigurimesh nga Shkupi, ku ishin arkëtuar tarifat, paratë dyshohet se janë transferuar nga një llogari në tjetrën dhe janë përzier me të ardhura nga aktiviteti i rregullt përmes kredive, marrëveshjeve për ndërtim të përbashkët të pasurive të paluajtshme, kontratave për blerje e shitje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve, si dhe transfertave të fondeve. Një pjesë e parave të përfituara në mënyrë kriminale dyshohet se është përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në interes të personit juridik të kallëzuar, njofton MPB./Telegraf/







