Ka humbur role se është shqiptare? Dekadat në Belgjikë dhe takimi me Paris Hilton e Ana Naqe

Ana Naqe është një ndër shqiptaret e suksesshme në botë që na bën krenar me arritjet e saj të jashtëzakonshme. Soprano ka prekur teatrot e operat europiane, ka realizuar muzikë e ka performuar për produksione filmike, e mbart me vete dhjetra çmime ndërkombëtare falë talentit të saj.

Shumë vite e larguar, Ana tashmë bazën e ka në Belgjikë por sytë e zemrën gjithmon nga Shqipëria.

“Unë shtëpinë e kam në Belgjikë por një emigrant është gjysëm kudo. Gjysëm këtu e gjysëm.. rrënjët janë të mëma. Rrënjët e mia janë në Shqipëri.” – shprehu soprano.

Por, nga ana tjetër, ajo zbuloi të vërtetën se ende nuk ka pasur ftesa nga Shqipëria, për të performuar në sallë operistike shqiptare.

“Shpresoj shumë në një të ardhme dhe e pres me krahë hapur. Do të ishte arritja ime më e madhe të këndoja në vendin ku janë prindërit e mi. të them të drejtën më kanë munguar ftesat, por kur bën një rrugë të tillë jashtë edhe fokusi im e ka bërë një shkëputje.”

Si një shqiptare që çan rrugën e saj në botë, Naqe rrëfeu se ka pasur raste ku nacionaliteti i saj është bërë pengesë për të marrë një rol të caktuar.

“Gjithësecili ka rrugën e vetë, sigurisht ka pasur raste xhelozie. Është edhe sa jam shqiptare e nuk më kanë dhënë një rol. Japin shumë krahë artistëve të tyre. Përshembull në Belgjikë, ja dhanë një belgeje. Në Gjermani do ja jepnin më parë një gjermani, s’diskutohet.”

Por një ndër momentet më të veçantë të karrierës së saj ishte dhe performanca e verës 2022 në Tomorroëland, ku soprano u shoqërua nga Paris Hilton, e cila prej vitesh performon si DJ në festivalin e muzikës elektronike.

“Paris Hilton shumë e hapur. Më bëri shumë komplimenta, për zërin, për look-un. Të këndoja në Tomorrowland 9 herë për 600.000 veta nuk e provon në asnjë opera ku maksimumi është 5000 veta.”

 


Shtuar 14.10.2022 19:17