Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja në Devoll ka paralajmëruar kreun demokrat Lulzim Basha se do të dalin dhe dosje të tjera, përveç “Toyota Yaris” dhe dosjes “Muzin”.
“Opozita dhe PD kanë dështuar në çdo nismë që kanë marrë që nga viti 2013 deri më sot, përveç në ligjin e dekriminalizmit.
Kanë dështuar në çdo protestë, në çdo premtim që kanë bërë. Por mbi të gjitha kanë dështuar të sjellin rotacionin e pushtetit. Nisi çadrën për të mbrojtur votën dhe përfundoi në qeveri për të dorëzuar votën. Ne sot vijmë kokëulur para shqiptarëve, sepse kemi dorëzuar 4 zgjedhje.
Një njeri pa integritet, me zero civilitet, nuk kupton se pas 4 humbjesh duhet të kishte dhënë 4 herë dorëheqjen. Edhe sot nuk jep dorëheqjen. Çdo ditë po del gjithnjë më shumë në pah, se kryetari është marrë peng nga qeveria dhe të tjerë. Unë në fillim e quajta peng-Basha.
Ju garantoj se kurrë nuk e etiketoja pa patur bindje absolute se ai i tille ishte dhe faktet po dëshmojnë çdo ditë më shumë vetëm këtë.
Kreu i opozitës me dosjet e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Kam denoncuar dhe i kam kërkuar para jush të japë shpjegime për Toyota Yaris dhe dosjen Muzin. E garantoj se me radhë do dalin dosje të tjera. E garantoj këtu se projekti i emirateve të Yamarit në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë partia demokratike”, tha Berisha./albeu.com