Jepet vendimi për 3 protestuesit e “Monstrës”, avokatët do ta ankimojnë vendimin (VIDEO)

Shaban Veseli, Behar Dalipi dhe Besart Kalisi, pjesëmarrës në protestën për “Monstrën” dënohen me nga 1 vit burg. Prokuroria i ka akuzuar për dhunë dhe prishje të rendit gjatë protestës.

 

Të akuzuarit qysh në fillim të seancës e pranuan fajin për të cilën akuzohen. Avokati i tyre nuk pajtohet me masën e dënimit dhe për këtë do të ankohen.
Elenko Millanov, avokat.

“Nuk jemi të kënaqur nga masa e dënimit. Për të njejtën do të ankohemi dhe do të ndërmarrim të gjithë veprimet ligjore edhe për masën e paraburgimit edhe për masën e dënimit.”, tha avokati, Elenko Millanov.

Dy të akuzuarit e tjerë Artan Sadiku dhe Fabio Idrizi nuk e pranuan fajin se kanë marrë pjesë në dhunë. Avokati Asmir Alispahiq tha se për klientët e tij nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë veprën.

“Kam bërë kontroll dhe vlerësoj se për dy të akuzuar, nuk ka asnjë dëshmi që mundet të vërtetohet se bëhet fjalë për këta dy persona Fabio Idrizi dhe Artan Sadiku, ndërsa nga fotografitë që janë dorëzuar si dëshmi nuk mundet të vërtetohet se bëhet fjalë për të këto dy të akuzuar.”, njofton Alispahiq.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit në protestën e 26 shkurtit për Monstrën kanë qenë pjesë e turmës të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj nëpunësve policorë dhe disa personave të tjerë të pranishëm, duke gjuajtur me gurë, bekatonka, shufra metalike dhe mjete të tjera me qëllim që të shpërndajnë kordonin policor.


Shtuar 19.03.2021 18:43