Jep dorëheqjen kreu i IMT-së në Durrës, Ilir Ngresi

Kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilir Ngresi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas një takimi me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako.

Largimi i tij vjen në një periudhë të ndjeshme për IMT-në e cila, bashkë me ndërmarrje të tjera të bashkisë janë angazhuar në një aksion të gjerë për prishjen e objekteve të ndërtuara mbi kanalet kulluese, ndërhyrje e konsideruar me rëndësi për zgjidhjen e një problematike të hershme që ka prekur qytetin dhe banorët e tij.

Të lidhura

None found

Jo vetëm ky aksion, po dhe të tjera në proces.

Burime pranë bashkisë e lidhin dorëheqjen me ngarkesën dhe presionin e lartë që shoqëron funksionin, në një sektor ku ndërthuren konfliktet me interesat, përplasjet me qytetarët dhe përgjegjësitë e forta administrative.

Pesha e zbatimit të vendimmarrjeve të vështira, por edhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tensioneve në terren, mësohet se kanë ndikuar në vendimin për t’u tërhequr.

Gjatë muajve të fundit, Ngresi u përball edhe me situata të forta kundërshtimi publik. Në shkurt, ai u vu në qendër të reagimeve të banorëve të qendrës historike të qytetit, të prekur nga projekti TID Durrës, të cilët e akuzuan për firmën në shkresën që kërkonte largimin vullnetar nga banesat brenda afateve të përcaktuara.

Dorëheqja e tij vjen pas një periudhe të shkurtër, por të shoqëruar me sfida, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e IMT Durrës në vijim, në një kohë kur aksionet në terren për lirimin e hapësirave publike vazhdojnë./Top Channel


Shtuar 22.04.2026 12:22