Ditën e sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të njëpasnjëshme nëse partitë nuk arrijnë dakordësi për zgjedhjen e Presidentit të vendit, kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.
Duke folur për gazetarët, ai akuzoi opozitën se nuk janë të interesuar për një marrëveshje e për t’i dhënë fund situatës së krijuar.
Të lidhura
None found
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh. Nuk po më duken (opozita) të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë që edhe pesë ditë kanë mbetur deri te përfundimi i afatit të Gjykatës Kushtetuese, për të zgjedhur presidentin e vendit.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti, madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë, nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
