Jemin Gjana bën bilancin, dhe sulmon Shehajn: Arsyeja pse i kemi përjashtuar vëzhguesit e tij

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike, Jemin Gjana ka thënë se për 2 orë e gjysmë votimi, pjesëmarrja ka qenë në 17.2%.

Gjana tha se procesi është zhvilluar i qetë, dhe ka folur mbi pretendimet e kandidatit Agron Shehaj se vëzhguesit e tij po përjashtohen nga procesi. Gjana tha se kjo nuk qëndron, dhe Shehaj ka dërguar si vëzhgues persona që nuk janë anëtar të PD-së, ndërsa në Shkodër nuk ka shkuar vëzhguesi që ka propozuar kandidati, por vëllai i tij.

Fjala e Jemin Gjanës:

Deri në 10 e gjysmë kanë votuar 12 mijë anëtarë, 17.2%

Procesi ka ecur normalisht, nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit, në 2-3 raste ka pasur ndërprerje për qartësimin e situatave të votimit, për anëtarë me kartë, dhe procesi ka vazhduar.

Nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues, mbrëmë deri në 12 e gjysmë janë marrë propozimet nga kandidatët për deputetë, kandidati Basha i ka plotësuar komisionet disa ditë më parë, dje kandidati Kadilli ka plotësuar komisionet, me kandidaten Harxhi kemi mbyllur mbrëmë emrat, ka lënë disa komisionet bosh, që ka rënë dakord të mos ketë përfaqësi.

Kemi pasur probleme në 7 apo 8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, erdhën disa propozime, që u refuzuan nga Komisioni, është e qartë se pse, pasi një pjesë e tyre nuk kanë pasur kartë anëtarësie, dhe nuk është pranuar që të ndërrohen vendet nga një komision në një tjetër.

Është refuzuar që në njësinë 2 të jetë vëzhgues një anëtar i njësisë 5. Unë po ju bëj me dije se vetëm në orët e mëngjesit, derimë tani për llogari të kandidatit Shehaj, janë marrë vendime dhe janë marrë me përfaqësues të tjerë shumë degë në vend. Në Shkodër ende nuk futet vëzhgues në emër të zotit Shehaj, për shkak se ka shkuar i vëllai, gjë që është e pamundur të bëhet.

Është bërë ndërrimi i vëzhgueses në njësinë 5, e cila shkaktoi për dy orë rresht probleme në qendrën e votimit. Ndalohet fotografimi i listës dhe i fletëve të votimit, zonja ka bërë veprime të kësaj natyre.


Shtuar 13.06.2021 11:52