“Jam gjysmë shqiptare dhe gjysmë amerikane”, balerina e famshme Adel Lami zbulon detaje nga jetesa në Amerikë

Është një ndër balerinat më të suksesshme shqiptare, sukses të cilin e ka kaluar jashtë kufijve të Shqipërisë, deri në Amerikën e largët.

E gjendur këtë periudhë në Shqipëri, Adel Lami ishte e ftuar tek “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ku ka folur për ndjesitë, jetesën e re në Amerikë dhe çfarë i mungon nga vendlindja e saj.

“Unë jam vërtetë amerikane tani, jam me të dyja pasaportat. Jam gjysmë amerikane dhe gjysmë shqiptare kur flitet për çështje ligjore, por unë sigurisht jam lindur dhe rritur në Shqipëri dhe ndjehem plotësisht shqiptare. Jeta ime vazhdon atje, por me thënë të drejtën sa herë vij në Shqipëri akoma më shumë e dua dhe ja shikoj të mirat”, është shprehur balerina e famshme.

E pyetur se çfarë i mungon më shumë nga Shqipëria, Adel Lami e vendos theksin tek ushqimi: “Përveç familjes dhe miqve padiskutim, më merr malli shumë për ushqimin shqiptar dhe sa herë ndodhem atje përpiqem të frekuentoj restorantet ku bëjnë vërtetë një ushqim tipk shqiptar. Jeta ime ka ndryshuar plotësisht që më 1 janar të vitit 2023 që kur vendosa këmbë në kampusin e Harvardit, sepse më parë u mora me provime, etj. Aktualisht nuk jam e fokusuar 100% te kërcimi, sepse jam në prag të diplomimit dhe po përpiqem të diplomohem sa më shpejtë të jetë e mundur dhe më pas trajnohem vetë, kam dhe studentë që i trajnoj”.

Ndërsa në lidhje me dashurinë, Lami pa u menduar fare e zbulon se ka një partner që e mbështet shumë në jetë, por mbi të gjitha pëlqen artin e saj: “Kam një partner i cili është shumë i kuptueshëm sidomos për pjesën e artit . Është e vështirë që një artist të gjejë një person që e kupton sepse jeta jonë ndryshon shpesh. Unë 6 muaj kam qenë në Kinë, pastaj në Egjipt. Është kryesore që të gjesh një partner që e pëlqen artin tënd dhe më pas të mbështet. Jemi njohur në Shqipëri dhe ndjekim njëri-tjetrin në jetë”.


Shtuar 23.12.2023 20:16