Ja cila është data e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

17 tetori përflitet si datë e mundshme për zgjedhjet lokale megjithatë nuk është konfirmuar nga partitë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në takimin me gazetarët njoftoi se zgjedhjet do t’i shpallë në verë, sipas afateve ligjore.

Sipas Kodit zgjedhor, zgjedhjet e rregullta lokale duhet të shpallen në 90 ditët e fundit të mandatit në kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve, por jo më pak se 70 ditë para përfundimit të mandatit kurse sipas marrëveshjes paraprake politike, datat e vetme të mundshme janë 17 dhe 31 nëntori.

Disave prej kryetarëve të komunave mandati u është konfirmuar rreth 18 tetorit të 2017-ës dhe pjesës tjetër në fillim të nëntorit të po të njëjtit vit. Kjo nënkupton se këshilltarëve dhe disave prej kryetarëve mandati u përfundon më 18 tetor.

Kjo, sipas kryetarit të Kuvendit Xhaferi, do të merret parasysh në caktimin e datës së zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet mbahen më 17 tetor, disa ditë të fushatës do të përkojnë me regjistrimin e popullsisë i cili planifikohet të mbahet në shtator.


Shtuar 24.06.2021 20:07