Iu pre një këmbë, por nuk ishte shtatzënë: Si paraqitet gjendja e vajzës që u aksidentua dje nga Jehon Breçani

Detaje të reja bëhen me dije nga aksidenti i rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Tiranë. Mësohet se 24 vjeçarja Xhesina Gega, e cila u përplas me makinë nga 19-vjeçarin Jehon Breçani është në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme dhe ka humbur njërën nga këmbët e saj.

Ndryshe nga sa u tha fillimisht, e reja nuk ka qenë shtatzënë, pas ekzaminimeve që i janë kryer në spitalin e Traumës, ku po mbahet në reanimacion.
Vajzës i është dëmtuar aorta femorale, çka i ka shkaktuar një humbje të madhe gjaku, dhe mjekët janë shprehur se ka qenë me fat që ka mbërritur në gjendje jete në spital.

Vajzës i është dashur që ti prihet njëra prej gjymtyrëve, në mënyrë që të shpëtohej pjesa tjetër e trupit.

Ndërkohë, policia njoftoi sot arrestimin e të riut, i cili është dhe djali i ish shefit të policisë, Erzen Breçnit. “Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: J. B., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen Xh. G., 24 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton zyrtarisht Policia e Tiranës.


Shtuar 11.06.2021 11:52