Përfaqësuesi ligjor i grupimit të Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa, foli sot në një deklaratë për mediet në lidhje me ngërçin për regjistrimin e PD-së në zgjedhjet lokale.
Sefa tha se komisioneri Celibashi është në shkelje të afateve për të marrë një vendim të tillë dhe për rrjedhojë, shtoi ai, po shpërdoron detyrën.
Ai i bëri Rhirrje kryekomisionerit që të dalë me një vendim përfundimtar për regjistrimin e PD-së në këto zgjedhje.
Indrit Sefa deklaroi sot se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve tha se Komisioneri ka shpërdoruar detyrën.
“Po cënon PD dhe po shkel afatet proceduriale të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Të ndalohen shkeljet e këtyre dispozitave, të marrë në shqyrtim çështjen e PD në kohë sa më të shkurtër. Komisioneri ka mbajtur qëndrime politike, jashtë procedurës ligjore dhe nuk është në funksionin e tij si institucion i pavarur për të garantuar zgjedhjet. Komisioneri ka disa orë që e ka në tavolinë vendimin e KAS,” deklaroi Sefa.
Enkelejd Alibeaj njoftoi 2 cditë më parë përmes një letre zyrtare Celibashin, se Lulzim Basha është dorëhequr si kryetar i PD më 21 mars 2022 dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë.
Pas letrës së Alibeajt Celibashi tha se vendimin do e marrë pasi të kalojë afati 48 orësh. Celibashi tha se vendimmarrja e KQZ është në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Më tej ai tha se regjistrimi i anëtarëve të KZAZ-ve nuk ka lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike.
Më 11 mars, skadoi afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që Partia Demokratike të plotësojë dokumentacionin në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ndërkohë sot KAS ka vendosur mos kalimin për shqyrtim te dy kërkesave të PD Alibeaj dhe Berishës.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nuk pranoi të marrë në shqyrtimin ankimimet për regjistrimin e PD së Alibeajt dhe PD së Berishës për lokalet e 14 Majit.
Në këtë mënyrë çështja është rikthyer tek Celibashi, i cili duhet të thërrasë një mbledhje publike, për të vendosur regjistrimin apo jo të PD, pa ose me firmën e Lulzim Bashës.
Në tryezën e KAS ishin dy ankesa nga juristët e dy grupimeve në PD por KAS, mini gjykata e KQZ, mbërriti në përfundimin se fillimisht duhet të jetë Ilirian Celibashi në marrjen e vendimit për mos regjistrimin e dy PD-ve. Vetëm atëherë kur të ketë një vendim të tillë nis puna e KAS.
Kjo do të thotë se vendimi Celibashit ku i jepte 48 orë kohë juristëve të PD së Alibeajt për plotësim dokumentacioni është nul. KAS kërkon nga Ilirian Celibashi të marrë vendimin për refuzimin e regjistrimit të Lulzim Bashës në KQZ si subjekt zgjedhor dhe më pas Basha përmes juristëve të ankimohet në KAS.
Kujtojmë se në mbledhjen e zhvilluar më 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t’u regjistruar në zgjedhje, komisioneri Ilirjan Celibashi vendosi të mos e pranojë “Rithemelimin” pasi Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Sali Berisha./albeu.com.