Përdorimi i cigareve elektronike dhe ato me nxehje janë kthyer në një problem serioz për të rinjtë, ndërkohë që mjeket japin alarmin duke theksuar se kanë të njëjtin efekt negativ në trup si edhe cigarja normale.
Eksperti i ISHP-së Roland Shuperka rrëfen se këto cigare rrezikojnë seriozisht shëndetin e përdoruesve nisur edhe nga fakti se qytetarët mendojnë se kanë efekte negative më të ulta, ndërkohë që është e kundërta.
“Këto produkte kanë nikotinë dhe krijojnë varësi dhe dëme ashtu si edhe cigarja normale. Nuk lejohet kategorikisht përdorimi nën 18 vjeç. Studimet kanë treguar se si cigaret normale ashtu edhe ato elektronike apo me nxehje shkaktojnë të njëjtin dëm në trup”, tha ai për MCN, ndërsa paralajmëroi se ISHP do të fillojë shumë shpejt marrjen e masave për ndalimin e këtyre cigareve në treg.
“Prindërit shqiptarë duhet të alarmohen, të kontrollojnë fëmijët e tyrë”, theksoi mjeku, ndërsa mësohet se ISHP shumë shpejt do të dalë me një urdhër për ndalimin e shitjes së tyre. /AlbEu.com