Ish-kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u lirua një ditë pas arrestimit të tij që ndodhi më 18 mars, nën dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Borisov, 62 vjeç, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare të qendrës së djathtë ‘GERB’ dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së tij u arrestuan më 17 mars në lidhje me hetimet për keqpërdorimin e fondeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.
“Ata erdhën në shtëpinë time ndërsa ne ishim duke darkuar”, tha Borisov pas lirimit.
Borisov tha për mediat se gjatë kontrollit të shtëpisë, autoritetet “nuk gjetën asgjë dhe kur mendova se po largoheshin, më thanë: “Duhet të të arrestojmë,” shtoi ai.
“Ishte brutale dhe e neveritshme. Jemi kthyer në kohën e komunizmit”, u shpreh ai.
Borisov tha se nuk ishte i akuzuar. Prokurorët nuk kanë komentuar ende për rezultatin e ndalimit të tij.
Qindra mbështetës të ish-kryeministrit Borisov protestuan në qendër të Sofjes kundër arrestimit mëngjesin e 17 marsit.
“Askush nuk është mbi ligjin!”, shkroi në Facebook, kryeministri i ri i Bullgarisë Kiril Petkov më 17 mars.
Partia Kundër Korrupsionit e sapoformuar e kryeministrit Petkov fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari vitin e kaluar me një platformë “zero tolerancë për korrupsionin”.
Arrestimet erdhën pas një vizite në Sofje më 16-17 mars nga ana e kryeprokurores evropiane Laura Koevesi.
Ajo vlerësoi “vendosmërinë, udhëheqjen dhe vizionin bindës të Petkov për luftën kundër korrupsionit”.
“Tani është koha që autoritetet përkatëse bullgare të bashkohen me ne, duke përfshirë rastet veçanërisht të ndjeshme”, tha Koevesi.
“Kjo është arsyeja pse ne ekzistojmë, kjo është arsyeja pse jemi këtu,” tha Koevesi, duke shtuar se prokurorët evropianë kanë hapur 120 hetime për mashtrime që përfshijnë paratë e BE-së në lidhje me tenderët publikë, subvencionet bujqësore, ndërtimet dhe fondet e rimëkëmbjes së pandemisë së koronavirusit.
Borisov është akuzuar për korrupsion disa herë në të kaluarën, por ka mohuar çdo keqpërdorim./REL