Ish-kreu i konservatorëve kërkon dorëheqjen e kryeministrit Boris Johnson

Pozita e Boris Johnson si kryeministër i Britanisë po vihet gjithmonë e më shumë në pikëpyetje, pas procesit në lidhje me shkeljet e rregullave në mbajtjen e festave gjatë periudhës së pandemisë, dhe së fundmi me kërkesat për dorëheqje nga anëtarët e partisë së tij.

The Times ka raportuar se pavarësisht se Johnson i ka mbijetuar një votëbesimi javën e kaluar, Michael Howard, ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore britanike, ka deklaruar se kryeministri duhet të konsiderojë dhënien e dorëheqjes.

Howard, i cili udhëhoqi partinë nga viti 2003 deri në vitin 2005, është shprehur se partia është më e rëndësishme si individët dhe se vendi do të ishte më mirë nën një udhëheqje të re.

“Anëtarët e kabinetit duhet t’i konsiderojnë me shumë kujdes qëndrimet e tyre”, ka shtuar ai.

Komentet e tij vijnë pasi kryetari i Partisë Konservatore, Oliver Dowden dha dorëheqjen këtë mëngjes pas disfatës së madhe që konservatorët pësuan në zgjedhjet e pjesshme në Wakefield dhe Tiverton & Honiton.

Dowden, i cili shihej si një aleat i kryeministrit, tha në letrën e tij të dorëheqjes se mbështetësit konservatorë ishin “të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga ngjarjet e fundit”.

Duke folur në Ruandë pas humbjeve të zgjedhjeve të brendshme, Johnson tha se do të “dëgjonte” mesazhin e votuesve, por u zotua të “vazhdojë” si kryeministër./albeu.com