Rregullat e emërtimit të faqeve online mund të pësojnë një ndryshim të madh, pasi organizata që mbikëqyr sistemin global të adresave të internetit ka bërë publike një seri të re aplikimesh për prapashtesa domenesh.
Të lidhura
None found
Nëse këto kërkesa marrin miratimin, përveç përfundimeve tradicionale si .com, .org dhe .net, në internet mund të shfaqen edhe adresa me prapashtesa të pazakonta si .fart, .zzz, .meow dhe .taylorswift.
Në total janë dorëzuar më shumë se 1,600 aplikime. Pas tyre qëndrojnë kompani, organizata komunitare dhe, në disa raste, individë që synojnë të marrin administrimin e një domeni të nivelit të lartë.
Prapashtesa që shfaqet në fund të një adrese interneti, si .com, njihet si “top-level domain”, ose TLD.
Administrimi i një pjese thelbësore të sistemit ndërkombëtar të emrave të domeneve bëhet nga Internet Corporation for Assigned Names and Numbers, ose ICANN. Organizata jofitimprurëse me seli në SHBA e kryen këtë rol që prej vitit 1999.
Raundi i ri u ka mundësuar aplikuesve të propozojnë një numër shumë më të gjerë fjalësh për t’i përdorur si prapashtesa interneti.
Disa prej kërkesave janë relativisht të zakonshme, si .tea, .advice dhe .brand.
Lista përfshin gjithashtu emra më të veçantë, ndër të cilët .trump, .meow, .bro, .maga dhe .god.

Një proces më i gjerë se ai i vitit 2012
ICANN e kishte hapur më parë një proces të ngjashëm në vitin 2012.
Si rezultat i atij raundi u krijuan prapashtesa si .plumbing, .wedding, .pizza dhe .babysitting.
Këtë herë, numri i të interesuarve është dukshëm më i lartë dhe propozimet janë shumë më të larmishme.
Sipas ICANN, janë regjistruar 1,615 aplikime. Prej tyre, 333 janë paraqitur nga marka, ndërsa 16 vijnë nga grupe komunitare.
Kurtis Lindqvist, president dhe drejtor ekzekutiv i ICANN, tha se aplikimet pasqyrojnë përpjekjet e organizatave në mbarë botën për të krijuar identitete të reja dhe të besueshme në internet, si dhe për të komunikuar me përdoruesit online.
Tarifa fillestare kalon 200 mijë dollarë
Marrja e kontrollit mbi një domen të nivelit të lartë kërkon një investim të konsiderueshëm. Vetëm tarifa për paraqitjen e aplikimit nis nga rreth 227 mijë dollarë.
Kur të njëjtën prapashtesë e kërkojnë disa kompani, gara mund të shndërrohet në një proces ofertash me vlera që arrijnë në miliona dollarë.
Nu Dot Co ka paguar më herët rreth 135 milionë dollarë për të fituar të drejtën mbi .web. Në vitin 2015, Google shpenzoi 25 milionë dollarë për .app.
Interesi lidhet me potencialin fitimprurës të administrimit të një domeni të nivelit të lartë.
Kompania ose organizata që e fiton këtë të drejtë bëhet “registry”, pra administratore e prapashtesës, dhe mund t’u japë palëve të tjera mundësinë të regjistrojnë adresa me atë përfundim.
Kështu, kur një person regjistron një faqe me prapashtesën .app, një pjesë e pagesës i shkon Google, ndërsa një tarifë e vogël për transaksionin i paguhet edhe ICANN.
Të ardhurat nga ky model mund të jenë shumë të mëdha. Verisign, që menaxhon .com, siguron rreth 1.5 miliardë dollarë në vit nga regjistrimet dhe rinovimet e domeneve.
Garë edhe për prapashtesat më të pazakonta
Aplikimet e këtij viti dëshmojnë se investitorët vazhdojnë të shohin vlerë te emrat e pazakontë, për të cilët besojnë se mund të kthehen në asete të rëndësishme.
Një grup i mbështetur me 36 milionë dollarë nga investitori i domeneve Yoni Belousov ka aplikuar për qindra prapashtesa, përfshirë .fart, .slop dhe .itiswhatitis.
Ndërkohë, kompanitë e teknologjisë po konkurrojnë veçanërisht për domenet që lidhen me inteligjencën artificiale.
Për .agent kanë aplikuar 13 kompani, mes tyre OpenAI, ndërsa shtatë kompani po garojnë për .agi, shkurtimi i “artificial general intelligence”.
OpenAI ka dorëzuar gjithashtu aplikime për 15 prapashtesa të lidhura me të, përfshirë .openai, .chatgpt dhe .codex.
Meta kërkon 21 prapashtesa të reja, mes tyre .aiglasses dhe .muse. Anthropic ka aplikuar për .anthropic dhe .claude.
Edhe emrat e Taylor Swift dhe Donald Trump në garë
Interesi për hapësira të veçanta në internet nuk kufizohet vetëm te kompanitë e teknologjisë.
TAS Rights Management, shoqëria që administron të drejtat mbi emrin, imazhin dhe markën e Taylor Swift, ka kërkuar prapashtesën .taylorswift.
Ndërsa DTTM TLD, kompani e lidhur me strukturat që menaxhojnë markat tregtare të Donald Trump, ka paraqitur aplikim për .trump.
Kërkesa të tilla tregojnë se domenet e reja po konsiderohen edhe si mjete për kontrollin e identitetit digjital të personazheve publike dhe markave.
Shqetësimet për verifikimin dhe sigurinë
Procesi i zhvilluar nga ICANN nuk ka kaluar pa kritika.
Aktivistë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar se sistemi nuk e verifikon gjithmonë në mënyrë të mjaftueshme identitetin e personave apo organizatave që qëndrojnë pas aplikimeve për domenet.
Një studim i publikuar në vitin 2023 nga DNS Research Foundation arriti në përfundimin se domenet nën administrimin e sistemit ICANN shfaqeshin më shpesh në veprimtari të dëmshme online sesa domenet kombëtare të menaxhuara në Bashkimin Evropian.

Raporti vlerësonte se domenet e prezantuara gjatë raundit të vitit 2012 përbënin afërsisht 8 për qind të regjistrimeve, por ishin të lidhura me rreth 27 për qind të rasteve të analizuara të phishing-ut, malware-it dhe spam-it.
Domenet kombëtare evropiane, si .fr dhe .de, përbënin rreth 14 për qind të regjistrimeve, ndërsa lidheshin vetëm me afërsisht 3 për qind të aktivitetit të dëmshëm.
Fondacioni e lidh një pjesë të këtij ndryshimi me faktin se regjistrat evropianë shpesh kryejnë kontrolle më të rrepta për emrat dhe të dhënat e kontaktit të pronarëve.
Vendimi përfundimtar i ICANN për aplikimet e reja pritet të merret më 17 nëntor.
Nëse miratohet një pjesë e tyre, prapashtesa e një adrese interneti mund të mos shërbejë më vetëm për të treguar natyrën e faqes, por të kthehet në njëkohësisht në markë, identitet dhe burim të një biznesi shumë milionësh. /GazetaExpress/





