Interi mund të bëhet me pronar nga Lindja e Mesme, synohet blerja e klubit italian

“Raine Group” raportohet se ka gjetur një fond të Lindjes së Mesme, të cilët janë seriozë në lidhje me blerjen e Interit nga familja Zhang.

“Tuttosport” dhe “Corriere dello Sport” nënvizuan se si një fond i paidentifikuar nga Lindja e Mesme janë gati të blejnë “Nerazzurrët” me kushtet e vendosura nga pronarët aktualë, të cilët duan mbi 1 miliardë euro për klubin.

Familja Zhang ende duhet të shlyejë kredinë prej 275 milionë eurosh për “Oaktree” deri më 20 maj 2024, një shifër që rritet në pothuajse 400 milionë euro nëse llogaritet interesi 12%, ose ta ri-financojë atë me norma interesi të dyfishta.

Bisedimet mes palëve po përparojnë mirë dhe nga “Raine Group” janë të bindur se një marrëveshje mund të arrihet në javët dhe muajt e ardhshëm. Së shpejti pritet të vijë një ofertë konkrete që do të lejojë që gjërat të ecin përpara.

Suning ende mund të vendosë të mbajë Interin, duke shtuar ndoshta një partner të ri në vend të kësaj, duke i lejuar të përfitojë nga formati i ri i Ligës së Kampionëve dhe ndryshimet e ardhshme të Kupës së Botës për Klube.


Shtuar 22.09.2023 13:35