Integrimi në BE, Ambasadori bullgar në Shqipëri: I keni bërë detyrat, jemi në bisedime me RMV

Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momchil Raytchevski, nga Korça, foli në lidhje me marrëdhënien dy palëshe me Maqedoninë e Veriut që po mbajnë peng edhe Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Raytchevski u shpreh se po zhvillohen bisedime intensive mes palëve duke theksuar që ky proces ka për synim rezultate të qëndrueshme nga të dyja palët me partnerët e BE.

“Kjo që mund te them është se si qeveria e vjetër po ashtu edhe e reja në Bullgari gjithmonë ka mbështetur pozitën se Bullgaria është një prej promotorëve dhe mbështetësve më të mëdhenj të zgjerimit në Bashkimit Europian, gjithashtu e për të ardhmen e vendeve të rajonit kjo që po ndodh është mes Sofjes dhe Shkupit ku po zhvillohen bisedime shumë intensive.

Vetëm gjatë muajve të fundit ka pasur disa vizita të ndërsjella, është një proces që ka synim të realizojnë rezultate të qëndrueshme që të dyja palët me partnerët e BE po vazhdojnë të punojnë mbi temat delikate e aktuale. Të gjithë shpresojmë se në një moment do të arrijmë një marrëveshje, është çështje e krijimit të mirëbesimit dhe arritjes së mirëkuptimit mbi çështjet e përbashkëta”, tha ai.

Në lidhje me Shqipërinë ambasadori  tha se ajo i ka kryer detyrat e saj. Ndërsa për krizën në Ukrainë ai refuzoi të mbajë në qëndrim për shkak të pozitës por shtoi se duhet dialog dhe jo monolog.

“Pozita e Bullgarisë përsa i përket Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë, për ne Shqipëria ka kryer atë që është e nevojshme dhe ju jeni gati dhe ne mbështesim që në momentin e parë të vendimit të familjes Europiane, që ju te vazhdoni në këtë familje dhe të zhvillohet konferencave e parë ndërqeveritare. Jam ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, por komenti që mund të jap është dialogu e jo monologu”, u shpreh Raytchevski.


Shtuar 15.02.2022 13:35