Informaliteti i qeverisë në sytë e DASH, flet kreu i SPAK: Kohë e gjatë korrupsioni dhe pandëshkueshmërie

Në emisionin “Vetting” në ABC mbrëmjen e sotme është folur lidhur me informalitetin dhe pandëshkueshmërinë. Problematika e korrupsionit me kontratat koncesionare është evidentuar edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, i publikuar më 27 korrik 2021. Në raport theksohet se projektet e partneritetit publik privat (PPP), kanë ulur mundësinë e konkurrencës për shkak të korrupsionit. Në raport theksohet konkretisht se kompani amerikane kanë ndeshur në praktika korruptive të administratës publike shqiptare.

“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë të SH.B.A.-së janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”, theksohet në raportin e fundit të DASH.

Kështu, Shqipëria arriti të hyjë në hartën e vendeve më të korruptuara në Botë duke mbetur gjithashtu një ndër vendet më të varfra në botë.

Në Shqipëri, kostoja për një kilometër rrugë arrin deri në 16 milion euro, ndërsa në vendet e BE-së nuk shkon më shumë se 6 milion euro. Për të njëjtën pronë në Shqipëri ekzistojnë disa pronarë, sepse zyrtarët e korruptuar të hipotekave kanë falsifikuar dokumentet. Një shërbim në sistemin spitalor shtetëror mund të shkojë sa dyfishi i kostos në një spital privat.

Në Shqipëri, një kapele polici blihet me 300 euro, ndërsa kapelja e një polici në Suedi, një ndër vendet më të zhvilluara në Botë, kushton jo më shumë se 40 euro.

Ky nivel korrupsioni solli dobësimin e shtetit ligjor dhe institucioneve dhe njëkohësisht lindi nevoja për reformim thelbësor fillimisht në sistemin e drejtësisë. Me mbështetjen dhe nxitjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, filluan përpjekjet për reformimin e drejtësisë, për tu finalizuar me miratimin në parlament të ligjeve të reformës.

Miratimi i reformës në drejtësi krijoi iluzionin se shpejt do të shihnim pas hekurave me dhjetëra apo qindra zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, që kishin kryer korrupsion në nivele të larta, një rezultat që ende nuk e kemi parë. Në një intervistë për emisionin “Vetting”, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, flet për arritjet e deritanishme dhe sfidat për të ardhmen.

Arben Kraja: Është një kohë e gjatë që sistemi nuk ka funksionuar siç duhet. Është kohë e gjatë që është kthyer në sistem mungesa e ndeshkueshmërisë për persona që kryejnë vepra penale apo për persona që shkelin ligjin. Është kohë e gjatë që këto kategori njerëzish në vend të dënohen kanë qenë njerëzit më të preferuar se për një kohë të shkurtër arrinin sukses dhe nuk merrnin ndëshkim. Është totalisht e gabuar por do shumë kohë që të rikthehet në gjendje normaliteti. Nuk kthehet brenda ditës por do kohën e vet dhe për të ndërtuar një proces duhet kohë dhe prova se nuk mund të bëhesh arbitrar. Ka ardhur koha që persona të pandëshkueshëm për arsye të suportit politik për arsye të suportit financiar, apo të krimit dhe rrezikshmërisë nuk janë ndëshkuar ka ardhur koha të ndëshkohen pa diskutim. Rast pas rasti. /abcnews.al

 


Shtuar 3.08.2021 20:49