Zëvendëspresidentja Kamala Harris rezultoi pozitive për koronavirus sot, duke u bërë zyrtarja më e lartë në Washington që u infektua dhe duke ngritur shqetësime të reja në lidhje me ekspozimin e mundshëm të Presidentit Biden ndërsa virusi shpërthen në administratën e tij.
Zyra e Zëvendës Presidentes tha se ajo rezultoi pozitive si në testin rapid ashtu edhe në P.C.R. dhe do të qëndrojë larg Shtëpisë së Bardhë derisa ajo të rezultojë negative, duke punuar nga rezidenca zyrtare e zëvendëspresidentes në kampusin e Observatorit Detar.
“Ajo nuk ka shfaqur asnjë simptomë, do të izolohet dhe do të vazhdojë të punojë nga rezidenca e Zëvendës Presidentes,” tha Kirsten Allen, zëdhënësja e zëvendëspresidentes.
“Ajo nuk ka qenë në kontakt të ngushtë me presidentin apo zonjën e parë për shkak të orarit të tyre të fundit të udhëtimit”, tha më tej ajo.
Harris, 57 vjeçe, është zyrtarja më e fundit e Washingtonit që ka kontraktuar virusin së fundmi në një shpërthim që ka shqetësuar pjesën më të madhe të kryeqytetit për rrezikun e përhapjes. Ndër zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë që u infektuan kohët e fundit ishte edhe kryetarja Nancy Pelosi, që do të thotë se dy pasardhëset kryesore të presidencës janë infektuar me virus.
Infeksioni i saj rikthen shqetësimet për Biden, i cili në moshën 79-vjeçare është personi më i vjetër i betuar ndonjëherë në presidencë dhe në një grupmoshë që zakonisht konsiderohet më e prekshme ndaj virusit.
Ndërsa zyra e zëvendëspresidentes theksoi se ajo nuk kishte qenë në kontakt të ngushtë me zotin Biden kohët e fundit, infeksioni i saj përforcon potencialin për ekspozimin e tij pasi njerëzit që punojnë me të rregullisht rezultojnë pozitivë.