Inceneratorët, kontratat, pronarët dhe skema që fundosi Kokën me biznesmenët

Inceneratorët kanë qenë kryefjalë në dy vitet e fundit në Shqipëri, ndërsa ditën e sotme çështja u rikthye sërish pasi Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion arrestoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe shpalli në kërkim dy emra të tjerë të njohur që kanë në pronësi kompanitë, Stela Gugallia dhe Klodian Zoto.

Aktualisht në Shqipëri janë tre inceneratorë, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Opozita ka bërë akuza të forta për lidhje të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në rang ministrash por edhe kryebashkiakësh me skemën e inceneratorëve që e cilëson vjedhje të hapur të milionave eurove. PD dhe LSI depozituan dy padi duke vendosur SPAK-un në lëvizje që ditën e sotme solli arrestimin e bujshëm.

Çfarë janë inceneratorët?

Trajtimi i mbetjeve me djegie ose njohur ndryshe me incenerim është një metodë e njohur. Në Shqipëri impiantet u ndërtuan me fondet e buxhetit të shtetit. Djegia e materialeve të mbetjeve konverton mbeturinat në hi, gaz dhe nxehtësi. Energjia e gjeneruar nga djegia e plehrave edhe sipas kushteve të parashikuara në kontratat e inceneratorëve të miratuar në Shqipëri duhet të përdorej më pas për të gjeneruar energji elektrike.

Kur nisi historia?

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014, kur qeveria shqiptare shënoi një kthesë 180 gradëshe nga strategjia kombëtare e miratuar në përputhje me direktivën e Komisionit Europian. Kjo strategji i jep prioritet parandalimit dhe riciklimit të mbetjeve, ndërkohë që e konsideron asgjësimin si opsion të fundit.

Në 2015 filluan që të konkretizohen lëvizjet dhe të përkthen në veprime ligjore për kontratat koncesionare të inceneratorëve. Impiantet e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet metodës së incinerimit përmes koncesioneve Partneritet Publik – Privat në qytetet Elbasan, Fier dhe Tiranë janë politikat më të debatuara të qeverisë.

Qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total. Politika e menaxhimit të mbetjeve është kritikuar në progres-raportin e Bashkimit Europian të vitit 2018.

Pronarët e PPP-ve

Fituesit e koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur. Inceneratori i Elbasanit dhe i Fierit zotërohen nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology. Inceneratori i Tiranës u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Të dhënat e siguruara nga databaza e kompanive në Holandë tregojnë se Klodian Zoto ka dhënë dorëheqjen nga Integrated Energy në mars 2018.

Koka dhe funksionimi i skemës që zbuloi SPAK?

Lefter Koka u arrestua për inceneratorin e Elbasanit. Pasi morën lejen përmes dhënies së ryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës inceneratori i Elbasanit në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa. Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milionë euro dëm.

Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë ryshfeti Lefter Kokës. Pasi janë faturuar në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milionë euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij./abcnews.al