aGzetari i News24 Enrik Mehmeti, humbi jetën në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti tragjik me motor në plazhin e Porto-Novës, në Vlorë.
Njeriu që jetonte me pasion ritmin e Lajmit të Fundit, u kthye vetë në lajmin më të dhimbshëm dhe të pabesueshëm për të gjithë ata që patën mundësinë ta njihnin, të bisedonin apo të punonin me të.
Të lidhura
None found
Pas tij mbetet një rrugëtim i pasur dhe i gjatë profesional në median e shkruar dhe atë vizive.
Që në hapat e parë të News24, Mehmeti u bë pjesë e televizionit dhe raportoi me profesionalizëm e përkushtim mbi zhvillimet në qytetin e Vlorës.
Kronika e zezë, operacionet e rëndësishme policore, çështjet sociale dhe turizmi ishin ndër fushat që ai pasqyroi, ndërsa ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të rëndë për familjen mediatike Focus Media Group.
Lidhja e tij me misionin e informimit nisi që në fëmijëri. Në vitin e trazuar 1997, ndërsa plumbat kalonin pranë tij, Enrik Mehmeti, atëherë vetëm 11-vjeç, u angazhua si përkthyes pranë kampit misionar “Alba”, duke u dhënë zë atyre që nuk kishin mundësi të dëgjoheshin.
Sikurse kishte treguar më herët, pikërisht në guximin e atij fëmije, të cilit iu desh të burrërohej para kohe, ai kuptoi se gazetaria do të ishte misioni i jetës së tij. Enriku nuk vraponte thjesht pas lajmit, pasi zhvillimet ndodhnin në kohë reale pikërisht aty ku gjendej ai.
I mbështetur te vendosmëria që e karakterizonte dhe te fjala si arma më e fortë e një gazetari, ai punoi gjithashtu si korrespondent i televizionit italian “Rai”, për të cilin përcolli drejtpërdrejt ngjarje nga Shqipëria.
Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe për komunitetin e gazetarëve, por edhe për Vlorën dhe vlonjatët, për të cilët Enrik Mehmeti u shndërrua në zërin që mungonte dhe në imazhin që i përfaqësonte.
