Enrik Mehmeti, gazetari i News24, humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e së shtunës në një aksident të ndodhur në zonën e Zvërnecit. Ndarja e tij e parakohshme ka lënë një mungesë të thellë mes familjarëve, miqve, kolegëve dhe publikut që e kishte ndjekur ndër vite.
Për më shumë se dy dekada, Mehmeti shërbeu si gazetar terreni, duke qenë vazhdimisht pranë vendeve ku zhvilloheshin ngjarjet. Informacionin e përcillte te qytetarët me shpejtësi, përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Të lidhura
None found
Pjesën kryesore të karrierës së tij e ndërtoi duke raportuar për ngjarjet në qarkun e Vlorës. Kronikat dhe informacionet që realizoi për News24, BalkanWeb dhe Gazetën Shqiptare u kthyen në një pikë të besueshme referimi për mijëra qytetarë.
Qoftë në kronikën e përditshme, ashtu edhe gjatë zhvillimeve më të rëndësishme në jug të vendit, Enriku gjendej në terren me kamerën dhe mikrofonin në dorë. Për të, gazetaria nuk ishte vetëm një profesion, por një mision në shërbim të publikut.
Ai spikati si një prej reporterëve më aktivë në terren, ndërsa karriera e tij u ngrit mbi vite pune të pandërprerë dhe përkushtimi.
Në kujtesën e kolegëve, Enrik Mehmeti mbetet një gazetar i qetë, korrekt dhe bashkëpunues. Ai punonte pa u kursyer për të kontrolluar faktet dhe për t’ia paraqitur publikut informacionin me standarde profesionale.
Integriteti, përkushtimi dhe dashuria për lajmin e karakterizuan gjatë gjithë rrugëtimit të tij në gazetari.
Humbja e Enrik Mehmetit përbën një goditje të rëndë jo vetëm për familjen dhe njerëzit e tij të afërt, por edhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë.
Ai do të mbahet mend si reporteri që jetoi për më shumë se 20 vjet me ritmin e ngjarjeve dhe që i shërbeu publikut me ndershmëri, dinjitet dhe përgjegjësi.
Kontributi dhe kujtimi i Enrik Mehmetit do të vazhdojnë të jenë pjesë e historisë së gazetarisë shqiptare.
