Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi, shënoi rritje me 6.2 % gjatë 2-mujorit të këtij viti, duke arritur në 38.2 miliardë lekë nga 30.3 miliardë lekë që ishin në 2-mujorin e 2023-shit.
Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.
Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania, janë partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.
Gjithsej nga Italia gjatë 2-mujorit u importuan rreth 6.7 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Nga Kina u importuan 5.3 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 6.7 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Investimet e huaja direkte, vijojnë të qëndrojnë në nivele historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, flasin për një fluks investimesh të huaja, vlera progresive e të cilave arriti në 1 miliard e 88 milionë euro.
Për nëntëmujorin janar-shtator 2023, vlera e investimeve të huaja direkte u paraqitet në rritje me 10.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Shtimi i investimeve të huaja direkte po mbështetet fort nga forcimi i monedhës kombëtare, lekut, në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm.
Gjatë vitit 2023, sektori i pasurive të paluajtshme, kryesoi shtimin e investimet e huaja direkte për të dytin vit radhazi.
Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin janar-shtator 2023, arritën vlerën e 222 milionë eurove. Investimet në këtë sektor përbënë më shumë se 20 % të investimeve të huaja për vitin 2023.
Pas pasurive të paluajtshme, sektori i dytë për nga vlera e investimeve të huaja është ai i industrisë nxjerrëse. Për 9-mujorin janar-shtator 2023, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 200 milionë euro.
Sektori energjetik renditet i treti, për nga vlera e investimeve të huaja direkte, me 121 milionë euro për 9-mujorin 2023.
Në vitet e fundit, ka një shtim të ndjeshëm të interesit të kompanive të huaja, për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike.