Numri i të infektuarve aktivë gjatë dy javëve të fundit të Shtatorit ka rënë me rreth 27%. Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, edhe numri i viktimave do të vijë duke u ulur dhe sipas tij muaji Tetor do të jetë i qetë.
“Ne kishim pikun, tani e kemi kaluar të rasteve të reja, kujdes kjo do s’postohet me rreth dy javë përsa i përket humbjes së jetës dhe ndoshta kjo është java që kemi pasur rastet më të mëdha të humbjes së jetës dhe presim në javët në vijim që kjo të bjerë. Numrat spitalorë fatmirësisht kanë rënë dhe kjo duket, kështu që automatikisht do shoqërohet me më pak humbje jete më vonë.
Nga gjysma e Tetorit do jemi më të qetë. Situata është akoma me transmetim komunitar, por është në rënie të qëndrueshme”, është shprehur Ilir Alimehmeti.
Epidemiologu Alimehmeti thotë se nuk pritet që të ketë një valë tjetër të fortë infeksionesh nga koronavirusi.
“Kemi xhepa, sidomos në zona rurale, kemi xhepa njerëzish të paimunizuar, as nuk e kanë kaluar dhe as nuk janë vaksinuar dhe këta janë kontingjenti më në risk. Ne mund të vazhdojmë të kemi raste, jo një valë të mirëfilltë, por do ketë raste më stabël dhe kjo është rruga që shtrohet drejt minimizimit, pra rastet nuk zhduken, por humbin këtë formën e valës së vërtetë”, është shprehur Alimehmeti.
Madje sipas tij as hapja e shkollave nuk do të ketë ndikim në rritjen e numrave të të infektuarve.
“Shkolla nuk duket të jetë problem i madh komunitar, këtë e pamë dhe vitin e kaluar. Mësuesit i kemi të vaksinuar, por virusi transmetohet shumë herë më tepër në ambientet e tjera dhe jemi ne të rriturit kryesisht që e transmetojnë”, ka përfunduar epidemiologu.
Numri më i lartë i të infektuarve aktive është arritur më 17 Shtator me rreth 13 mijë raste aktive në gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht janë rreth 9500 raste./ Klan News