Ikën Meta, Bajram Begaj merr sot detyrën e presidentit

Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj do të betohet sot në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë detyrën për drejtimin e shtetit, duke pasuar në ketë post Ilir Metën.

Në rendin e ditës, të bërë publik nga Kuvendi i Shqipërisë, njoftohet se seanca speciale për betimin e kreut të ri të shtetit do të nisë sot në orën 18:00.

Kjo seancë parlamentare ka në rend dite vetëm ceremoninë e marrjes së detyrës. Begaj behet kështu presidenti i tetë i Republikës pas rënies se sistemit komunist dhe mandate i tij është 5-vjeçar.

Ceremonia e dytë e parashikuar në orën 19.30 do të zhvillohet në ambientet e Presidencës, aty ku bëhet dorëzimi i detyrës nga Presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri.

Kush është Bajram Begaj?

Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967, ai është një oficer ushtarak shqiptar, i cili ka shërbyer si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. Ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake./albeu.com